E Diel, 1 Nëntor 2026

Hebovija: Ndërtimi në stanjacion, emigrantët ndalojnë investimet

Ndërtuesit nuk parashikojnë përmirësimit të situatës në këtë sektor me ardhjen e emigrantëve. Ilir Hebovija, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, u shpreh për “MAPO” se sektori i ndërtimit aktualisht është në stanjacion dhe nuk priten përmirësime. “Dërgesat e emigrantëve shfaqen sërish në rënie. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e parë të këtij viti, tregojnë se vlera e remitancave ishte 153 milionë euro, me një rënie prej 10%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Pra emigrantët nuk po sjellin më të ardhura në vend. Ata nuk investojnë në pasuri të paluajtshme dhe kjo po ndodh prej disa vitesh. Në këtë mënyrë nuk pritet që këtë verë sektori i ndërtimit të ketë përmirësime të dukshme” - u shpreh për “MAPO” Hebovija. Sipas tij, kriza në sektorin e ndërtimit po thellohet. Ai u shpreh se edhe pse çmimet e banesave kanë rënë minimalisht me 20% sipas zonave, sektori i ndërtimit po rrënohet. “Gjendja paraqitet po si vitin e kaluar në të njëjtën periudhë. Që prej 2008, kur shpërtheu kriza, ky sektor nuk po e merr veten”, - u shpreh Hebovija. Sipas tij, faktorët që ndikojnë në krizën në ndërtim janë të jashtëm dhe të brendshëm. Ai u shpreh se kriza në sektorin e ndërtimit vijon e ndikuar nga pasojat e krizës ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë kërkesa ka rënë shumë dhe konsumatorët kanë mungesë të theksuar besimi në të ardhmen, si rrjedhojë ata nuk investojnë në pasuri të paluajtshme. Gjithashtu mungojnë politikat e duhura fiskale nga qeveria. Pasi sipas Hebovisë, duhet të paguajnë TVSH, si për ndërtimin, ashtu edhe për truallin, ndërkohë që shitjet sa vijnë e bien më shumë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›