Gati Kodi i Ri doganor, kërkohen votat e opozitës
Kodi i Ri doganor është gati, por miratimi dhe hyrja e tij në fuqi do të ndodhë në 2013-ën. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka sqaruar se implementimi i këtij kodi modern kërkon kohë për shkak të standardeve në fushën e iT dhe në të gjithë procesin e implementim. Në të njëjtën kohë, këtë legjislacion Bode e cilësoi si provë për politikën shqiptare, pasi miratimi i tij kërkon shumicë të cilësuar, pra 2/3 e votave. Ministri i Financave i bëri këto deklarata dje, gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit të binjakëzimit midis Doganave shqiptare dhe atyre austriake. Projekti quhej, “Mbështetje për përafrimin e Procedurave Doganore me Standardet e BE-së. “Kodi i Ri doganor synon të përafrojë më tej standardet e veprimit në administratën doganore dhe teknike, me atë të BE dhe njëkohësisht, hartimi i draftit përbën domosdoshmëri për standarde të larta, lehtësinë e mallrave dhe njerëzve në territoret respektive nga BE në Shqipëri dhe nga Shqipëria në BE” - tha Bode. Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, u shpreh se, krijimi i një sistemi doganor eficient për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm, pasi vendi synon të anëtarësohet në BE. “Ky nuk është një projekt rajonal vetëm për Shqipërinë. Kodi i ri do të krijojë një sistem doganor eficient, pasi një sistem i mirë dhe funksional doganor është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, që synon të hyjë në BE, por dhe do të luajë një rol të madh në mbrojtje të konsumatorit. Ky sistem i ri do të ndikojë edhe në uljen e korrupsionit në këtë sektor”, tha Sequi. Gjatë aktivitetit, Sequi i dorëzoi ministrit Bode draftin e modernizuar të Kodit të ri Doganor. Ekspertë të Bashkimit Europian kanë asistuar Qeverinë shqiptare që nga fillimi i vitit 2010, për hartimin e Kodit të ri Doganor, sipas standardeve europiane. Kjo do të arrihet përmes një projekti prej 2 milionë eurosh, duke përfshirë këtu edhe zbatimin e tij. Legjislacioni doganor është përfshirë në një proces ndryshimi rrënjësor, që nga miratimit i Kodit Doganor në vitin 1999. Nga 299 nene të Kodit, do të ndërhyhet në 128 nene. Futen koncepte të reja. Dispozitat e reja parashikojnë dhe normojnë një sërë procedurash dhe operacionesh të reja doganore të tilla si, deklarimi doganor para mbërritjes, para nisjes, zhdoganimi i centralizuar, Operatori Ekonomik i Autorizuar, Procedurat e Thjeshtuara, Menaxhimi i riskut etj. Në kuadër të formulimit të ri të legjislacionit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën me dije se, implementimi i ndryshimeve kërkon njohje paraprake të biznesit, si dhe partnerëve të tjerë, duke vlerësuar që këto procedura të reja sjellin mjaft masa lehtësuese për biznesin. Procesi për implementimin e këtij kodi është në përputhje me Rregulloren e Parlamentit Europian Nr 450/2008 “Kodi Doganor i Modernizuar i Komunitetit” dhe Dispozitat Zbatuese të tij. Ndryshimet e reja përfshijnë edhe funksionin themelor të doganave. Sipas Kodit aktual, neni 2 “veprimtaria doganore siguron mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, që kanë të bëjnë me importet, eksportet dhe transitet e mallrave, pavarësisht nga mënyra e transportit, lidhur me dërgesat ndërkombëtare, me kalimin në pikat kufitare dhe me qarkullimin e lirë të mallrave, të personave dhe të bagazheve të tyre. Në projektligjin e ri, ky nen ndryshohet në këtë mënyrë: “a-Mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Shqipërisë; b. Mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë nga tregtia e padrejtë dhe e paligjshme, duke mbështetur aktivitetin e ligjshëm të biznesit; c. Garantimin e mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Shqipërisë dhe të banorëve të saj, si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe kur duhet, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e tjera; d. Mbajtjen e balancës së duhur ndërmjet kontrolleve doganore dhe lehtësimit të tregtisë së ligjshme”. Gjithashtu ndryshimet kanë përfshirë mënyrën se si rregullohet borxhi doganor, i cili në projektin e ri zë disa nene të reja. Por në këtë reformim të legjislacionit të ri doganor hyjnë disa koncepte të reja zhdoganimi si, “Deklarimi i Thjeshtuar”. Sipas kësaj procedure autoritetet doganore, autorizojnë çdo person që t‘i vendosë mallrat në një procedurë doganore në bazë të një deklarimi të thjeshtuar, i cili mund të anashkalojë paraqitjen e disa hollësive dhe dokumenteve mbështetëse të përmendura. Gjithashtu në legjislacionin e ri doganor sanksionohet me ligj një metodë e re në procesin e zhdoganimit, që ka të bëjë me menaxhimin e riskut. “Menaxhimi i Riskut është identifikimi sistematik i riskut dhe zbatimi i të gjitha masave të nevojshme për kufizimin e ekspozimit ndaj riskut. Kjo përfshin aktivitete të tilla si, mbledhja e të dhënave dhe informacionit, analizimi dhe vlerësimi i riskut, parashikimi dhe marrja e masave dhe monitorimi i rregullt dhe rishikimi i këtij procesi dhe rezultateve të tij, të bazuara në burimet dhe strategjitë kombëtare dhe ndërkombëtare”.