Vodhën lokalin, në pranga tre studentë
GJIROKASTER – Vodhën me thyerje një lokal në Gjirokastër, arrestohen tre studentë. Policia u sekuestroi edhe sendet e vjedhura, dy televizorë LCD dhe një impiant CD, si dhe një DVD-player. Sipas burimeve të policisë, janë arrestuar shtetasit me inicialet A. V., student i vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Gjirokastrës, E. B., student në vitin e tretë për Matematikë-Fizikë, të dy 21-vjeçarë nga Berati, si dhe G. M., 21 vjeç, nga Tepelena, student në vitin e tretë për gjuhë greke në këtë universitet. Ndalimi i tre studentëve ka ardhur pasi një natë më parë, pronari i një dyqani të pajisjeve elektroshtëpiake në lagjen 18 Shtatori, kallëzoi penalisht në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, vjedhjen me thyerje që i është shkaktuar dyqanit të tij. Si pasojë, atij i janë grabitur pajisje elektroshtëpiake, si dhe dy televizorë LCD me vlerë 115 mijë lekë, së bashku me pajisjet e lartpërmendura, të cilat kapnin vlerën e 40 mijë lekëve, bëri të ditur policia. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre me qira, në lagjen 18 Shtatori, policia arriti të gjente dhe sekuestronte materialet e vjedhura prej tyre. ndërsa i prangosi ata me akuzën e vjedhjes së kryer në bashkëpunim. p.n