E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vodhi 2 pula, vetëvaret 18 vjeçari

Avokati i Popullit Në Shqipëri Igli Totozani ka udhëtuar sot në drejtim të Bulqizës për t’u informuar rreth rastit të vetëvarjes së 18-vjeçarit, Drilon Dema.

Dy ditë më parë, policia e Bulqizës ka shoqëruar 18-vjeçarin Drilon Dema nga fshati Omezh i këtij rrethi.

Mësohet se i riu është akuzuar se kishte vjedhur dy pula në fshat. Burime konfidenciale nga policia e Bulqizës pohojnë se Dema është marrë në pyetje dhe se është mbajtur për afro tri orë në komisariat.

Pas daljes nga komisariati i policisë, i riu është përfshirë në një gjendje të thellë depresive. Ende nuk dihet nëse 18-vjeçari ishte autor i vjedhjes dhe për këtë arsye është ndjerë në faj dhe i turpëruar, gjë që e ka shtyrë atë drejt vdekjes, apo akuza për vjedhje që i është bërë, ishte e pabazë. Ndërkohë, dyshohet se mbi viktimën mund të jetë ushtruar dhunë fizike.

Familjaret thonë se mbi trupin e te riut ka pasur shenja dhune, transmeton BW.

Paraditen e djeshme, Drilon Dema është gjetur i varur në një pemë, në afërsi të shkollës së fshatit Omezh nga bashkëfshatarët e tij. Trupi i pajetë i të riut është marrë nga familjarët, ndërsa menjëherë është sinjalizuar policia për ngjarjen./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›