Vogëlushja e ‘Harry Potter’ është rritur

Vogëlushja Hermione nuk është më. E bashkë me të, edhe bota magjike e “Harry Potter”-it. Ka hequr bluzat e çuditshme, flokët e gjatë dhe atë fytyrën serioze. Tani Emma Watson na paraqitet në versionin pas adoleshencës: e shpërqendruar, rebele, seksi.
Në filmin “The Perks of Being a Wallflower”, shkruar dhe drejtuar nga Stephen Choinski (autor i bestsellerit, publikuar në vitin 1999) luan rolin e një adoleshenteje aventuriere në një lice të Pittsburgh-ut. Por nuk përfundon këtu: në “The Bling Ring”, filmi i ri i Sofia Coppola-s (historia e vërtetë e një grupi adoleshentësh të pasur në Los Anxhelos, që për t’u argëtuar, bastisin shtëpitë e yjeve të kinemasë si Lindsay Lohan, Orlando Bloom dhe Megan Fox), aktorja 22-vjeçare luan rolin e Nicky-t, ndërsa është duke xhiruar “Noah” me Russell Crowe e Anthony Hopkins, drejtuar nga regjisori Darren Aronofsky.
Një vajzë e keqe në ekran, Emma nuk është kështu në jetën e përditshme: vazhdon të studiojë në universitete prestigjioze si “Brown” e “Oxford” (diplomohet vitin tjetër), ku thotë se arrin të bëjë një jetë normale, larg nga paparacët dhe thashethemet. Vishet bukur dhe thjeshtë dhe për më tepër, është shumë e edukuar.
Më në fund, një rol prej rebeleje. Pas shumë vitesh si Hermione, për ju duhet të jetë si një çlirim…
Një gëzim i madh. Isha në universitet kur më dhanë skenarin e filmit “The Perks of Being a Wallflower”. E lexova dhe e gjeta veten me lot në sy, nuk e di përse. Mora menjëherë në telefon agjentin tim. Mbeta vërtet pa fjalë. Pranova pa e vënë fare në dyshim.
Ju keni jetuar duke qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, e rrethuar nga mijëra persona. E keni ndier veten vetëm?
Jam rritur duke punuar në sheshin e xhirimeve të “Harry Potter”, një botë e izoluar dhe pa shumë hapësira. Gjithmonë kisha dëshirë të ndihesha normale.
Nuk është se e pranuat filmin për të jetuar përvojën e një gjimnazi amerikan?
Le të themi po. Bëra një kurs të përshpejtuar në një gjimnaz. Në shtatë javë, bëra gjithçka që nuk kisha bërë më parë: kërcime, lojëra. Ishte një përvojë e mrekullueshme.
Çfarë ju pëlqeu më shumë nga filmi?
Kur lexova skenarin, provova emocione të ndryshme. Askush më parë nuk më kishte shpjeguar se një takim nuk duhet të jetë domosdoshmërisht dramatik, një histori dashurie alla Romeo e Zhulieta. Mund të vendosësh vetë se kujt duhet t’ia japësh dashurinë tënde. Mund të zgjedhësh. Mund të duket një klishe, por nëse ti mëson të duash, të pranohesh, të respektosh, mund të gjesh një dashuri të vërtetë dhe dikë që të bëjë mirë. Unë për vete jam e lumtur, sepse e gjeta edhe personin e duhur.
Do të thoni se tani ndiheni më mirë?
Kam pak që kam mësuar se sa e rëndësishme është të ndihesh mirë me veten. E vërteta e hidhur është se askush nuk të mëson asgjë në jetë: i mëson vetë nga përvojat e tua.
Le të kalojmë tek kuriozitetet: ju jeni aq shumë popullore mes adoleshentëve sa kur pretë flokët, shkaktuat një “luftë” në forumet në internet. Kishte edhe nga ata që nuk ju njihnin më…
Jam e lumtur për këtë, sepse kjo më ndihmon të rritem, të ndryshoj. Të jesh në mendimet e fansave, është bekim i madh. Po të them të drejtën, doja të çlirohesha nga roli i Hermione.
Ju e dini çfarë të thotë të jeni e famshme. Këtë e di mirë edhe Sofia Coppola. Si ishte bashkëpunimi me të në “The Bling Ring”, që trajton temën e fiksimit pas të famshmëve?
Sofia, si vajza e Francis Ford Coppola, ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes me dashje apo jo. Kështu që ky është një subjekt që e njeh mirë. Mua në të vërtetë më interesonte të aktroja për të. Ajo shkruan shumë role të bukura për femra. Nicky, personazhi im, është shumë tërheqës. Sofia e përshkruan dhe i jep jetë pa moralizma të rremë, thjesht të fiksuar pas kultit të të famshmëve, nga magjepsja e vlerave materiale dhe nga status-simbolet. Është një realitet që unë e kam të vështirë ta kuptoj: një vajzë angleze si unë që luan rolin e vajze tipike nga Los Anxhelos.
Deri ku keni arritur me studimet?
Më mungon vetëm një semestër për të përfunduar në “Brown”. Kam studiuar letërsi angleze për tri vjet në “Oxford”. Në nëntor do të mbaroj xhirimet e filmit “Noah”, do të kaloj Krishtlindjet me familjen, pastaj vrap në universitet.