E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso: Çmimi Nobel për Paqe – nder i madh për BE

(E plotësuar) Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ka vlerësuar se dhënia e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2012, Bashkimit Evropian, është “nder i madh”.

“Është nder i madh për Bashkimin Evropian, që u nderuar me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2012 nga Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe”, tha zoti Barroso, sot në Bruksel.

Mëtutje ai ka vlerësuar se “çmimi tregon se edhe në këto kohë të vështira, Bashkimi Evropian mbetet një inspirim për vendet dhe popujt në mbarë botën dhe se bashkësisë ndërkombëtare i duhet një Bashkim Evropian i fortë”.

Më herët gjatë ditës, Kryesuesi i Komitetit Norvegjez të Nobelit, Thorbjorn Jagland, në Oslo, e shpalli fituesin e çmimit për këtë vit:

“Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur që Çmimi Nobel për Paqe për vitin 2012 t’i jepet Bashkimit Evropian”, tha zoti Jagland.

Në arsyetim, pos tjerash, thuhet se “BE-ja dhe paraardhësit e tij për më tepër se gjashtë dekada kanë kontribuar në avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë”.

Bashkimi Evropian fiton Çmimin Nobel të Paqes

Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2012 e ka fituar Bashkimi Evropian, për rolin e tij afatgjatë në bashkimin e kontinentit.

Komiteti Norvegjez i Paqes tha sot se BE-së i është ndarë ky çmim për kontributin që ka dhënë për gjashtë dekada në “avancimin e paqes dhe pajtimit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë”.

Në arsyetim thuhet se "në vitet e pasluftës, Komiteti Norvegjez i Nobelit ka shpërblyer disa persona, të cilët ishin në kërkim ta pajtimit midis Gjermanisë dhe Francës. Që nga viti 1945, ky pajtim është bërë realitet".

"Vuajtjet e tmerrshme nga Lufta e Dytë Botërore demonstruan domosdonë e një Evrope të re. Për një periudhë mbi 70 vjeçare, Gjermania dhe Franca kishin luftuar tre herë. Sot, lufta midis këtyre dy vendeve është e paminagjinueshme".

"Në vitet 1980, Greqia, Spanja dhe Portugalia iu bashkuan BE-së. Rrënia e Murit të Berlinit e bëri të mundur gjithashtu anëtarësimin e disa vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke hapur kësisoj një kapitull të ri në historinë evropiane", thuhet në arsyetimin me shkrim të Komitetit.

"Pranimi i Kroacisë vitin që vjen, nisja e bisedimeve për anëtarësim me Malin e Zi dhe kurorëzimi i Serbisë me statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, janë procese që ndihmojnë pajtimin në Ballkan".

BE-ja aktualisht është duke përjetuar vështirësi të rënda ekonomike dhe trazira të konsiderueshme sociale.

Komiteti është përqendruar në atë që "e sheh si rezultatin më të suksesshëm të BE-së: betejën e suksesshme për paqe, pajtim, demokraci dhe të drejtat njerëzore".

Me këto arritje, BE-ja ka ndihmuar në transformimin e Evropës nga një kontinent lufte në një kontinent paqeje, thuhet mes tjerash në arsyetimin që Komiteti Norvegjez i Nobelit i ka bërë çmimit të sivjetmë të paqes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›