Vogli, i madhi komandant i shqiptarisë

Në Afganistan e humbi dje jetën Feti Vogli, një ushtarak karriere i cili merrte pjesë në misionin “Eagle 4”, në zonën më të vështirë të misionit të NATO-s, atë të Kandaharit. Pjesëmarrja disavjeçare e Shqipërisë në misionet për vendosjen e paqes në Afganistan, e kanë klasifikuar Tiranën si kontribuesin e dytë (për numër popullsie), pas SHBA-së, në Aleancën Veri-atlantike. Me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë, edhe “kreditet” e ushtrisë tonë u rritën më tej, dhe “Eagle 4”, ishte i pari kontingjent, i cili tre javë më parë, u nis nga Tirana, për të marrë pjesë në misione, që kishin të bënin me frontin e vërtetë, atë të përballjes me talebanët.
Për të disatin precedent radhazi, forcat e aleancës, ishin vënë gjatë dy viteve të fundit nën zjarrin e forcave policore të Hamid Karzait, të cilat, gjatë procesit të bashkëpunimit, po nxjerrin si shumë “disidentë”, që shpallin kalimin me talebanët, duke ekzekutuar partnerët e tyre të NATO-s. Dje ka qenë radha fatkeqe e komandantit tonë Feti Vogli.
Pas Gentian Markut, rënë me 25 nëntor 2004, në Irak, si efektiv i marinsave të SHBA-së, Feti Vogli është ushtaraku i dytë shqiptar, që bie në misionet e eksportimit të lirisë, që NATO ka ndërmarrë nëpër botë. Rënia e Voglit nuk është një tribut gjaku, që kombi u paguan aleatëve të vet të mëdhenj. Bash kujtimi i Gentian Markut më vjen në ndihmë për të theksuar se nuk është fare një çmim për t’u paguar, por një pjesëmarrje e barabartë, e madhe dhe e vështirë në të njëjtën kohë, të cilën 96 përqind e shqiptarëve e kanë miratuar dhe kanë ndërmend ta çojnë deri në fund. Fundi ka brenda edhe riskun, jo në konceptin bankar, por në vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund, një misioni jetik të aleancës më të madhe të vendeve të lira. Është kjo aleancë që në 1999, për të mbrojtur lirinë e shqiptarëve, nuk mori parasysh regjimin e vjetër të OKB-së e të segmenteve të Këshillit të Sigurimit, të kushtëzuara nga Rusia dhe Kina. Me rënien e Gentian Markut dhe me nderimin e tij në SHBA e në Lezhë, në vendlindjen e tij, shqiptarët rrëfyen konseguencën e kësaj zgjedhjeje të guximshme e afatgjatë. S’është mercenarizëm, por besnikëri ndaj fatit që kombit i ra në derë, ndaj një aleati strategjik, që ai s’e pat patur, ndoshta që nga koha e Skënderbeut.
Dje ra Vogli, në Kandahar, ndoshta në zonën më të rrezikshme të botës. Qindra agjenci lajmesh e emëtuan fatkeqësinë, duke evidentuar edhe kontributin e Shqipërisë në misionin ISAF 2, për stabilizimin e Afganistanit. S’ka nevojë për të analizuar origjinën e qafirëve që kryen sakrilegjin. Vogli është komandanti i madh i shqiptarisë, i cili dje dha kontributin e vet të mbramë, më të madhin kontribut që mund të japë një qytetar për atdheun e vet. Vogli dje dha jetën, për një Shqipëri më të fortë në NATO, për një shqiptari më të fortë në qytetërimin perëndimor.