Gazsjellësi Trans-Adriatik, Azerbajxhani eliminon Greqinë, zgjedh Shqipërinë

Projekti i Athinës nuk është më i besueshëm dhe s’do merret në konsideratë. Projekti shqiptar është në linjën e parë për të përfituar transportin e gazit nga Azerbajxhani për në Evropë
Gazi që do të vijë nga Azerbajxhani drejt Europës do të kalojë përmes Shqipërisë.
Konsorciumi ndërkombëtar i udhëhequr nga kompania e njohur britanike BP (British Petrolium) ka zgjedhur projektin TAP (Trans Adriatic Pipeline) kundrejt atij italo-grek ITGI, për të tranzituar drejt Europës gazin azer. Konsorciumi që ka në pronësi fushën e gazit në Shah Deniz, tha se për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë Greqinë, projekti që mbështetet nga Athina nuk është më i besueshëm dhe nuk do të merret në konsideratë. Varianti grek ishte rivali kryesor i gazsjellësit transadriatik, projektit të vetëm që përfshin Shqipërinë në rrjetin ndërkombëtar të gazit. Eliminimi i tij e vendos projektin shqiptar në linjën e parë për të fituar transportin e gazit azerbajxhanas në Europë. Sinjalet e para për këtë u dhanë që të martën, kur aksionerët e fushës së Shah Denizit thanë për Reuters se nëse do të zgjidhet rruga nga Turqia në Itali, projekti i tyre i preferuar është gazsjellësi që mbështet Tirana. Megjithatë gara mes gazsjellësve nuk ka mbaruar. Pas eleminimit të projektit grek, tashmë mbeten tre konkurrentë që lufojnë për të fituar transportin e gazit azer në Europë. Dy projektet e tjerë janë Nabucco dhe gazsjellësi i Europës juglindore.
Projekti TAP parashikon kalimin e gazit në një rrugë më të shkurtër nga Azerbajxhani, Turqia, Greqia, Shqipëria dhe më pas në rrugë detare drejt Italisë.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është tubacioni i vetëm që mund të përmbushë dëshirën e Evropës Juglindore për të marrë gazin e Kaspikut në një mënyrë me kosto efektive dhe teknikisht të besueshme. I fokusuar në rritjen potenciale të kërkesës për gaz në rajon, TAP është parë në këtë mënyrë si një nga rrugët e duhura, prej të cilës do të përfitojë edhe Shqipëria. Mendohet se, pasi TAP të realizohet, atëherë lidhjet me tregjet e Evropës Juglindore nëpërmjet tubacionit Adriatik-Jon dhe sistemeve të tjera, mund të zbatohen shumë shpejt. Tubacioni Trans-Adriatik do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe në detin Adriatik në jug të Italisë, duke kaluar më pas në Evropën Perëndimore.
Projekti ka për qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, si dhe diversifikimin e furnizimeve me gaz për tregjet evropiane. Gjatësia totale e tubacionit është rreth 800 kilometra. Kapaciteti fillestar i tubacionit do të jetë 10 miliard metra kub në vit. Aksionarët TAP janë EGL në Zvicër (42.5%), Statoil i Norvegjisë (42.5%) dhe E.ON e Ruhrgas së Gjermanisë (15%).
Ndërsa gazi i prodhuar në kuadër të fazës së dytë të fushës Shah Deniz së Azerbajxhanit është konsideruar të jetë edhe burimi kryesor për projektin e gazit TAP.
Në tetor, TAP së bashku me projektet e tubacioneve të tjera paraqitën një propozim gjithëpërfshirës të transportit të konsorciumit Shah Deniz 2, i cili do të marrë vendimin e saj në rrugën e transportit të preferuar deri në fund të këtij viti.