Berisha, vizitë ngushëllimi në familjen e Kapiten Feti Voglit

“Ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën u sakrifikua”
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë, një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e familjes së Kapiten Feti Vogli, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra dje, në krye të detyrës, në Kandahar.
Kryeministri u shprehu prindërve, bashkëshortes dhe të afërmve ngushëllimet për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur, por edhe nderimin për sakrificën e Kapiten Voglit, në emër të paqes dhe lirisë.
Duke folur më pas për mediat, Kryeministri u shpreh se vizita e tij ishte për të shprehur ngushëllime dhe për të ndarë dhimbjen dhe pikëllimin me familjen e Kapiten Voglit.
“Erdha për të shprehur ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të familjes sime dhe të qeverisë shqiptare, për të ndarë dhimbjen e pikëllimin me familjen e Kapiten Feti Voglit, që ra për t’u bërë i pavdekshëm, në një mision fisnik paqeje, në Kandahar, Afganistan. Cilido që e ka njohur, ka njohur tek biri i kësaj familje, tek Kapiten Feti Vogli virtytet më të arrira të një njeriu të mrekullueshëm, të një ushtaraku të përgjegjshëm, një bashkëshorti dhe djali shembullor. Unë përcolla gjithashtu, ngushëllimet e bashkëluftëtarëve të tij, me komandantin e të cilëve zhvillova mbrëmë një bisedë telefonike, të cilët ishin të tronditur thellë e të pikëlluar për humbjen e vëllait, mikut e bashkëluftëtarit të tyre, Kapiten Feti Vogli. Solla gjithashtu, ngushëllimet e Gjeneralit John Allen, Komandant i Forcave të NATO-s në Afganistan, i cili shprehu dhimbjen më të madhe për rënien në krye të detyrës të Kapiten Voglit dhe më kërkoi t’u përcillja familjarëve të Kapiten Voglit, ngushëllimet e tij dhe të Komandës së NATO-s në Afganistan. Unë jam i bindur se sot, me familjen Vogli, me prindërit, bashkëshorten, vëllain, janë të gjithë shqiptarët, që marrin nga një copë dhimbje, zi e pikëllim që t’ia lehtësojnë dhimbjen kësaj familje të nderuar. Edhe një herë, duke shprehur ngushëllimet, lutemi që shpirti i Kapiten Voglit të gjejë paqen që meriton. Ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën u sakrifikua”- u shpreh Berisha. Lidhur me gjendjen shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Peci, i cili mbeti i plagosur nga sulmi i djeshëm ndaj komandove shqiptarë në Afganistan, Berisha tha gjendja e tij është e rëndë, por e stabilizuar. Kryeministri tha se për ndjekur hapat e mëpasëm të kurimit mjekësor më të specializuar, Nëntar Peci do të transportohet drejt Gjermanisë. “Informacionet e fundit janë që brenda një kohe të shkurtër do të transportohet nga spitali, në të cilin ndodhet në Kandahar, në një spital të posaçëm në Gjermani dhe uroj që të ketë një ecuri sa më të mbarë dhe shërim të shpejtë. Gjendja e tij, shëndetësore, natyrisht, ka problemet e veta, por mjekësia amerikane do të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar jetën Aleksandrit”. Kontingjenti shqiptar në Afganistan u sulmua dje në afërsi të Kandaharit nga 10 efektivë të policisë lokale, gjatë kohës që po shoqëronin një mision të USAID. Si pasojë e këtij sulmi terrorist mbeti i vrarë Kapiten Feti Vogli, ndërsa u plagos rëndë Nëntar Aleksandër Peci si dhe një ushtar amerikan.