Vokshi: Lidhja Demokratike e Gruas, promotore për përmirësimin e statusit politik dhe ekonomik të gruas
LDG dega Lushnjë zgjedh strukturat e reja drejtuese. Punimet e Kuvendit u ndoqën nga afër dhe nga deputetja e qarkut Fier, Mesila Doda
Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, njëkohësisht deputete në Parlament, znj. Albana Vokshi deklaroi se LDGSH do të punojë ngushtësisht më të gjitha institucionet për të përmirësuar pozitën sociale dhe politike të gruas në shoqëri. Znj. Vokshi theksoi se nën vëmendjen e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Sali Berisha, qeveria është angazhuar për të fuqizuar edhe statusin ekonomik te gruas, duke e bërë pjesë në vendimmarrjet publike dhe duke i krijuar lehtësira edhe për angazhimin e saj në sipërmarrje private. Duke folur në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Lushnjë, znj. Vokshi vlerësoi rritjen e kuotës përfaqësuese të gruas në Parlament dhe në institucionet e qeverisjes vendore dhe lokale. Por theksoi se LDGSH do të kërkojë respektimin e plotë të kuotës prej 30% të përfaqësimit të gruas në politikë. Punimet e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Gruas, dega Lushnjë u ndoqën nga afër dhe nga deputetja e qarkut Fier, znj. Mesila Doda dhe nga Kryetari i Partisë Demokratike, dega Lushnjë, Florian Dani, të cilët vlerësuan fuqizimin e rolitë të LDG në vendimmarrjen politike dhe publike. Kuvendi votoi për forumet drejtuese të Lidhjes Demokratike të Gruas Lushnjë, ku me shumicë votash kryetare e këtij forumi u zgjodh Nevila Bami, e profilizuar në shkencat ekonomike.
...