E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vokshi: Si do e shndërrojmë Durrësin

Zonja Vokshi, çfarë ju lidh me Partinë Demokratike dhe pse vendosët të kandidoni?

Me Partinë Demokratike kam një lidhje sa të gjatë, aq edhe të qëndrueshme. Jam aktivizuar që në fillim të viteve 1990 në Forumin Rinor të saj. Më tej, për asnjë çast nuk i jam ndarë kësaj partie, duke ofruar në mënyrë direkte apo indirekte kontributin tim në proceset politike të saj. Kontributi dhe afërsia me këtë parti kulmoi kur unë u bëra anëtare e iniciativës mjaft të suksesshme për krijimin KOP-it. Kontributin e mirëfilltë politik timin e jap dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në strukturat më të larta drejtuese të PD-së, si Këshilli Kombëtar i PD-së, anëtare e të cilit jam. Së fundmi më është besuar edhe një detyrë sa delikate, aq edhe e rëndësishme, e drejtueses së Lidhjes Demokrate të Gruas Shqiptare (LDGSH). Kandidimin në listat e Partisë Demokratike, por sidomos në Qarkun e Durrësit, nuk e konsideroj një grant/dhuratë që PD ua ofron mbështetësve në përgjithësi, apo femrave në veçanti. Përkundrazi, e shoh si një angazhim e përgjegjësi të jashtëzakonshme, një detyrim, më të madhin në jetën time deri tani. Pse vendosa të kandidoj. Sepse e meritoj dhe sepse jam e gatshme.

Kërkoni votën në Durrës, por a keni një projekt tuajin për zhvillimin e këtij qyteti?

Pse në Durrës: Për të përfaqësuar më mirë interesat e një komuniteti kosovar që ndodhet aty. Lidhja ime me Durrësin - ndjehem afër këtij qyteti për disa arsye: së pari, unë jam kosovare me origjinë nga babai (Vokshi). Projekti ynë për Durrësin: sigurisht që ne kemi një projekt ambicioz për zhvillimin e Qarkut të Durrësit. Ai është vijim i politikave dhe reformave të deritanishme të qeverisë. Durrësi ka fituar tashmë statusin e një qyteti metropol, të dytin në Shqipëri. Ai është një promotor për zhvillimin e vendit në tërësi. Sepse Durrësi është porta e Ballkanit, është nyja lidhëse e të gjithë korridoreve të zhvillimit, është porti më i fuqishëm. Ky qark ofron shumë, ndaj strategjia jonë për zhvillimin e tij është një strategji e cila synon integrimin e burimeve dhe mundësive në një model zhvillimi që pasqyron vizionin e PD-së. Është modeli i zhvillimit të tre T-ve: Transport - Turizëm - Tregti. Ne do të përmirësojmë më tej infrastrukturën e këtij qyteti, në mënyrë që të zhvillojmë më tej turizmin. Do të nxisim zhvillimin e tregtisë, ndërmjet të tjerash edhe nëpërmjet krijimit të parkut më të madh industrial në vend, atij të Spitallës, në një sipërfaqe prej rreth 800 ha. Do të përmirësojmë më tej sistemin tredimensional të transportit rrugor-hekurudhor-detar.

Çfarë i ofroni ju qeverisjes së nesërme dhe sot ekipit garues të partisë suaj?
Qeverisja e deritanishme e Partisë Demokratike ka ofruar shumë. Reforma të thella janë bërë në të gjitha fushat. Ofroi modelin Berisha, modeli i Shqipërisë në krye të rritjes ekonomike në Europë, e dyta në botë për lehtësinë e të bërit biznes, e para në botë për luftën kundër korrupsionit. Modeli i mirëqenies dhe i luftës kundër varfërisë. Unë nuk do të jem vetëm një numër në Parlamentin shqiptar.

A keni një pritshmëri tuajën për rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Durrësit? Pra, si do të ndahen 13 mandatet mes kampeve?

Një fitore e padiskutueshme e PD-së. Kjo për disa arsye: e para, arritjet e deritanishme të qeverisë "Berisha" dhe mbështetja për Qarkun e Durrësit. Investimet në këtë qark gjatë qeverisjes së PD-së janë shumëfishuar, janë ngritur mjaft qendra të reja shëndetësore, shkolla të reja, janë bërë projekte të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë e biznesit, të tilla si ndërtimi i parkut industrial dhe atij energjetik etj. E dyta: listat e kandidatëve. Lista e PD-së është një listë përfaqësuese, me kandidatë që janë figura të shquara politike, profesionale, me integritet moral e politik. Është një listë cilësore, kompakte, politike, me vizion të qartë, e cila drejtohet nga lideri historik i së djathtës, z. Berisha. Është lista e fitores së madhe, më të madhes së PD-së. Lista e PS-së është pa kokë, pa lider, pa identitet, pa integritet, pa ide, pa program. Një listë e cila në themelet e saj ka interesat e ngushta të kryetarit të opozitës, i cili edhe këtë listë, ashtu si dhe kryesinë e PS-së, e ka kthyer në një SHPK ndërtimi, ku çdo gjë blihet me leje ndërtimi.

CV
Është zgjedhur nga PD-ja si koordinatore kombëtare e fushatës së gruas
Këshilltare e Kryeministrit për çështje të cilat kanë të bëjnë me Koordinimin e Ndihmës së Huaj
Drejtore e Departamentit të Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj, në Këshillin e Ministrave
Ka eksperiencë të pasur pune edhe në organizmat ndërkombëtarë, si USAID, OKB-së në Kosovë dhe në Afganistan, si dhe me FMN, në Uashington
Diplomë master në Administrimin Publik, të fokusuar në politikën ekonomike, në Shkollën e Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare të Universitetit të Kolumbias, në Nju Jork

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›