E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi: Sektori i naftës po zhytet në krizë

Industria e naftës ndodhet në një situatë dramatike dhe rrezikon të zhytet në një krizë të vërtetë financiare". Alarmi vjen nga Shoqata e Intelektualëve të Naftës, të cilët paraditen e së dielës kanë organizuar një takim, ku janë diskutuar problemet me të cilat po përballet ky sektor i rëndësishëm. Kreu i Shoqatës së Intelektualëve të Naftës në Fier, Vlashi Nakuçi, ka bërë fillimisht një panoramë të treguesve ekonomikë dhe financiarë të kompanisë së vetme shtetërore "Albpetrol" sh.a. Sipas tij, situata ku ndodhet sot industria e naftës është një situatë alarmante dhe rrezikon që kjo industri të pësojë një krizë të vërtetë financiare. "Katër vjet më parë, gjatë një viti prodhohej 340 mijë tonë naftë në vit, kurse për vitin 2009 është parashikuar që prodhimi të jetë 174 mijë tonë, gjë që do të thotë se do të prodhohet 50% më pak naftë. Sot, ky sektor regjistron 4 700 punëtorë, të cilët nuk e justifikojnë prodhimin e ulët dhe treguesit skandalozë që ka shoqëria "Albpetrol". Gjatë vitit 2008 humbjet në industrinë e naftës kanë qenë 380 milionë lekë. Këto humbje "fshihen" nga drejtuesit e naftës dhe Ministria e Energjetikës e ajo e Ekonomisë. Kriza u shfaq edhe në fillim të këtij viti, kur për disa muaj me radhë punëtorët e kompanisë "Albpetrol" nuk u paguan", ka thënë Nakuçi. Në takim janë diskutuar edhe metodat e shfrytëzimit të nëntokës. Për specialistët, metodat masakruese që po përdoren sot, jo vetëm nga kompania shtetërore, por edhe nga ato private, do ta çojnë këtë sektor drejt falimentimit. Në takim është dhënë alarmi edhe për faktin se kriza ku ndodhet sot kompania "Albpetrol" mund të parashikojë një tjetër reformë. "Mungojnë strukturat monitoruese, si në kontrollin e respektimit të shfrytëzimit të nëntokës, mjedisit, por edhe në investimet që propagandohen e që në fakt nuk realizohen", ka thënë Nakuçi, i cili ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në këtë sektor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›