E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Volejboll/Partizani nuk dorëzohet, fiton të 3-tën

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj e ka shtyrë për në aktin e saj të 4-t çështjen e titullit “kampion” për këtë sezon, pasi Partizani e ka fituar ndeshjen e 3-të të finales, duke e rihapur kështu gjithçka sa i përket duelit me rivalen kryeqytetase, Tiranën. Në fakt, kjo e fundit erdhi në ndeshjen e 3-të të finales, që u luajt në Sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet duke shpresuar ta mbyllte që të enjten çështjen e trofeut, pasi i kishte fituar dy duelet e para.

Por të kuqtë e trajnerit Ylli Tomori, të cilët erdhën në këtë përballje me shansin e fundit për të mbetur në luftë për titull, kanë ruajtur gjakftohtësinë, duke e marrë setin e parë me shifrat 25-20. Edhe seti i dytë ka qenë i barazpeshuar, teksa bardheblutë e trajneri Ben Sako do të rivalizojnë, por është sërish Partizani që është më i saktë në pikët e fundit dhe e fiton edhe setin e dytë, 25-22. Seti i 3-të ka parë Tiranën të kryesojë në gjysmën e parë të tij, por Partizani nuk dorëzohet, duke reaguar dhe duke përmbysur shifrat dhe duke e fituar atë me rezultatin 25-20.

Skuadra e Ylli Tomorit e fiton kështu gjithë takimin me rezultatin 3-0 dhe shkon në sfidën e 4-t, që do të luhet më 23 prill 2023 në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës duke synuar të mbetet në luftë, ndërsa bardheblutë për t’u kurorëzuar me titullin “kampion”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›