Von der Leyen i lë tri porosi Kosovës, presidentja e KE-së takon Osmanin dhe Kurtin

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka lënë tre porosi për Kosovën, ndërsa zhvilloi takime të veçanta në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e mbyllur vizitën në Kosovë pa një konferencë shtypi.
Përmes një postimi në rrjetin “X”, Shefja e KE-së theksoi se Bashkimi Evropian është i përkushtuar për një të ardhme në të cilën të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Unionit.
“Për këtë është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të ulë tensionet dhe të finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së,” shkroi ajo.
Ndërkohë, presidentja Osmani beri me dije se gjatë takimit me shefen e KE-së bisedoi për çështjen e zbatimit të Planit të Rritjes, masat e padrejta ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit.
“Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore,” u shpreh Osmani.
Pas këtij takimi, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e priti në takim zyrtaren e lartë evropiane në godinën e Kuvendit të Kosovës, pasi nga 8 gushti, Zyra e BE-së në Prishtinë njoftoi Qeverinë në detyrë se zyrtarët e bllokut evropian nuk do të zhvillonin më takime në selinë e qeverisë deri në krijimin e ekzekutivit të ri.
Ndërsa priti presidenten e KE-së në Beograd, lideri serb Aleksandar Vuçiç tha se diskutuan edhe për dialogun Kosovë–Serbi. Nga ana e saj Von Der Leyen theksoi se Serbia duhet të bëjë hapa konkretë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës me Vuçiçin ajo i kërkoi Beogradit të mbështesë sanksionet evropiane kundër Rusisë.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/