Kolegji Zgjedhor zhbllokon procesin, miratohen afatet dhe teknologjia e votimit për zgjedhjet e pjesshme lokale

Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i mbledhur në ambientet e Gjykatës Administrative të Apelit, ka marrë një vendim unanim që zhbllokon bllokadën e krijuar brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) lidhur me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në disa bashki, të caktuara për datën 9 Nëntor 2025.
Kolegji, i përbërë nga gjyqtarët Ornela Naqellari (Relatore), Enkel Peza, Lutfije Celami, Entela Shedula dhe Alma Kodraliu, pranoi kërkesëpadinë e Partisë Socialiste (PS), e përfaqësuar nga Eridian Salianji, kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Komisionit Rregullator.
Çfarë vendosi Kolegji?
Partia Socialiste kundërshtoi mosmarrjen e katër vendimeve thelbësore nga Komisioni Rregullator, të cilat kishin ngecur pasi nuk kishin marrë numrin e nevojshëm të votave (3 vota pro kundër 2 kundër). Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i shpallur sot, miraton projektvendimet e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve duke:
Miratuar afatet procedurale të zgjedhjeve.
Miratuar karakteristikat teknike të fletës së votimit.
Miratuar përdorimin e pajisjes së identifikimit elektronik të votuesve.
Miratuar përdorimin e kamerave regjistruese dhe monitorëve në Vendet e Numërimit të Votave (VNV).
Përjashtimi i rëndësishëm
Në një detaj të rëndësishëm, vendimi i Kolegjit Zgjedhor, megjithëse fillimisht PS-ja kërkonte miratimin për Bashkitë Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, përjashton Bashkinë Tiranë nga zbatimi i këtyre projektvendimeve. Kështu, afatet dhe teknologjia e re do të zbatohen vetëm në Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë.
Vendimi i Kolegjit, sipas nenit 4 të tij, është i formës së prerë dhe nuk lejohet ankim. Administrata e KQZ-së është ngarkuar menjëherë për zbatimin e tij, duke i hapur rrugën përgatitjeve finale për procesin zgjedhor të 9 Nëntorit. Partia Demokratike e Shqipërisë ishte e thirrur në këtë proces si person i tretë, por ishte në mungesë.
/rtsh.al/