Von der Leyen takon Kurtin: Të de-përshkallëzohen tensionet në veri të Kosovës, riangazhim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka mbërritur në Athinë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar nevojën për të de- përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës.
Përmbajtja e takimit është bërë publik nga vetë Presidentja e KE-së, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X (Twitter).
“Kam diskutuar me kryeministrin Kurti, nevojën për të de-përshkallëzuar tensionet në veri të Kosovës, për t’u riangazhuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe për të zbatuar marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është jetike që të rrëzohen barrierat në rajon dhe Ballkani Perëndimor më afër BE-së.”- shkruan von der Leyen.
Presidentja e KE-së ndodhet në Greqi, pasi të hënën mbahet darka informale e liderëve të Ballkanit Perëndimor e organizuar nga kryeministri grek. Pjesë e kësaj darke informale është edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në një postim në X, duke iu referuar takimit, ajo komentoi se: “Ne duhet t’i sjellim miqtë tanë, anëtarët aspirantë të BE-së shumë më afër nesh dhe shumë më shpejt“.
“Gëzohem që jam në Athinë për të diskutuar perspektivën evropiane të fqinjëve dhe partnerëve tanë në Lindje dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të rrëzojmë barrierat midis rajoneve tona.”- shkruajti presidentja e KE-së.
/rtsh.al/