E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonë për akademikët

Akademikët e Kosovës kanë propozuar shtyrjen e datës së regjistrimit të popullsisë, derisa nuk përfshihen edhe emigrantët. Por sipas kryetarit të Komisionit për regjistrim, Rifat Blaku, akademikët është dashur të ofrojnë propozime e sugjerime, e jo të lëshojnë komunikata. Komisioni premton se do të dalë edhe me një sqarim për këtë proces. Nga Lirita Halili më 02 mars 2011 në ora 08:51

Ndonëse Kuvendi i Kosovës ka marrë vendim që regjistrimi i popullsisë të nisë më 1 prill të këtij viti, ka dalë dikush që nuk pajtohet me këtë datë.

Kjo është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Me një komunikatë për media, akademikët propozojnë shtyrjen e regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

Express ka tentuar të flasë me kryetarin e ASHAK-së, Besim Bokshi, megjithatë ai përveçse e pohoi se kjo komunikatë u është lëshuar medieve, nuk deshi të thotë asgjë më shumë. “Kush do, le ta marrë komunikatën. Për të tjera gjëra nuk kam çfarë të komentoj, i keni të gjitha aty”, tha Bokshi për Express, duke mbyllur telefonin.

Sidoqoftë, në komunikatën e lëshuar të hënën, thuhet se Kryesia e ASHAK-së ka vlerësuar se rezultatet e regjistrimit të popullsisë varen në masë të ndjeshme edhe nga koncepcioni në bazë të të cilit zbatohet regjistrimi. Në këtë kontekst, peshë të veçantë për ASHAK-un, ka përkufizimi i “popullsisë rezidente”. Prej tij, sipas ASHAK-së, varet drejtpërsëdrejti pasqyrimi i numrit të popullsisë dhe i shumë elementeve të strukturës së saj.

Sipas ASHAK-së, bashkatdhetarët tanë investojnë në vendlindje në ndërtimin e shtëpive, në bujqësi, në biznese të ndryshme, i ndihmojnë familjarët dhe të afërmit e tyre me të holla dhe në mënyra të tjera dhe për këto arsye janë reale supozimet që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve “përkohësisht” të punësuar në vendet perëndimore, që nga fillimi i viteve ‘70 të shekullit të kaluar, do të kthehet në vendin e lindjes, përkatësisht në vendin e përhershëm të banimit, pasi ta përfundojë karrierën e punës dhe të pensionohet. “Këta persona duhet të jenë pjesë e popullatës së përgjithshme të Kosovës dhe mbi bazë të këtij vëllimi demografik, duhet të bëhen planifikimet hapësinore, urbanistike dhe shoqërore”, thuhet në komunikatën e ASHAK-së.

Akademikët kosovarë druajnë se qysh nga viti 2005, ekzistojnë plane të UNMIK-ut për formimin e qendrave të posaçme në Serbi dhe në Mal të Zi, që do ta organizonin regjistrimin e serbëve të Kosovës, sipas koncepcionit të popullsisë rezidente, çka nënkupton përfshirjen e të gjithë serbëve që janë shpërngulur nga Kosova në Serbi e Mal të Zi, që nga viti 1999. “Sot jetojmë në Ballkanin e pastabilizuar, ku fakti statistik dhe faktori demografik janë bërë çelës i zgjidhjes së raporteve politike dhe të problemeve etnike, kështu që pasqyrimi joreal i dimensionit etno-demografik të Kosovës mund të ketë edhe pasoja politike”, thuhet në këtë komunikatë.

Interesimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e ka çmuar shumë Rifat Blaku, kryetar i Komisionit shtetëror për regjistrim të popullsisë. Megjithatë, ai thotë se udhëheqësit e saj duhet të jenë më të informuar lidhur me regjistrimin e popullsisë, para se të dalin me komunikata të tilla. “Sidoqoftë, ne do të dalim edhe me një sqarim shpjegues se si do të bëhet regjistrimi i popullsisë në shtetin e Kosovës”, sqaron Blaku për Express. “Neve na duhen nga ana e akademikëve sugjerime, ndihmë dhe propozime lidhur me regjistrimin e popullsisë, e jo komunikata që janë të pabaza”, thotë Blaku për Express.

Sipas tij, tashmë janë formuar komisionet komunale, regjistruesit dhe gjithçka që duhet për regjistrim. “Prandaj, tash është shumë vonë të bëhet ndonjë shtyrje. Por, po them që Akademia do t’i marrë të gjitha sqarimet për punët që janë bërë”, pohon Blaku, i cili gjithashtu ka një sqarim edhe lidhur me pjesën e komunikatës ku përfshihet regjistrimi i emigrantëve. “Unë e di që ata kanë dhënë kontribut të madh në Kosovë. Prandaj, emigrantët meritojnë një përgatitje të madhe, për këtë ne na duhet buxhet dhe kuadro, e ne buxhet nuk kemi”, u shpreh ai.

Megjithatë, sipas Blakut, do të vijë koha kur edhe emigrantët do të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë së Kosovës. “Më vonë kur të konsolidohet shteti, ne do të krijojmë kuadro dhe do të bëjmë këtë regjistrim ashtu siç duhet”, vlerëson Rifat Blaku, kryetar i Komisionit për regjistrim të popullsisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›