E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtor i NJIFK-së emërohet Dardan Nuhiu

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 20:20

Në Ministrinë e Financave të martën është mbajtur takimi i parë i Bordit Mbikëqyrës të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës (NJIFK). Në këtë takim, bordi në mënyrë unanime e ka emëruar drejtorin e NJIFK-së, Dardan Nuhiu, i cili është propozuar nga komisioni për vlerësimin e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për këtë pozitë.

Në takimin e Bordit Mbikëqyrës të NJIFK-së kanë marrë pjesë ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, u.d guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Bexhet Haliti, drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica dhe përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Agron Nezaj.

Gjatë këtij takimi ku është diskutuar në lidhje me tranzicionin e FIC-it tek NJIFK, ministri i Financave, Bedri Hamza, njëherit kryesuesi i këtij Bordi bëri të ditur qëllimin e themelimit të këtij organi.

“Me qëllim që të luftohet në mënyrë efektive shpëlarja e parasë dhe financimi i terrorizmit në Kosovë, duke u bazuar në ligj ne themelojmë Njësinë e Inteligjencës Financiare të Kosovës si institucioni qendror dhe i pavarur kombëtar përgjegjës për kërkimin, marrjen, analizimin dhe shpërndarjen tek autoritet kompetente dhe bërjen publike të informacionit në lidhje me parandalimin e shpëlarjes potenciale të parasë dhe financimin e terrorizmit, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, tani Ministria e Financave”, ka thënë ai.

Në këtë takim, bordi në mënyrë unanime emëroj drejtorin e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, Dardan Nuhiu, i cili është propozuar nga komisioni për vlerësimin e kandidatëve të cilët kanë aplikuar për këtë pozitë.

Sipas komisionit pas selektimit të kandidatëve të përshtatshëm për pozitën e drejtorit të NJIFK-së, duke marr parasysh kushtet ligjore që kërkohen për pozitën e shpallur, Dardan Nuhiu i plotëson kushtet për t’u propozuar për emërim në pozitën e Drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës.

Dardan Nuhiu është ekonomist i diplomuar, duke vijuar studimet master në drejtimin e financave në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Kriminalistikës në Universitetin e Sarajevës. Gjithashtu komisioni ka raportuar që Dardan Nuhiu posedon njohuri të mira të legjislacionit për parandalimin e shpëlarjes së parasë, ka njohuri rreth trendëve të zhvillimit të politikave dhe dokumenteve tjera për zhvillimin e Njësisë sipas praktikave më të mira evropiane.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›