E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i lartë i bukës shqetëson qytetarët

Nga Express më 01 mars 2011 në ora 19:03

Në Mitrovicë gjendja ekonomike është e rëndë dhe çmimi i lartë i bukës ka shqetësuar tejmase qytetarët, u tha në takimin mes kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, me furrtarët mitrovicas, që është mbajtur të martën në Mitrovicë.

Kryetari Kastrati ka thënë se ka ankesa të mëdha nga qytetarët, për shkak të çmimit prej 50 centësh për një bukë, duke kërkuar sqarime prej furrtarëve se pse në Mitrovicë çmimi i bukës është 50 centë, kur në shumë komuna buka shitet më lirë.

Në anën tjetër, furrtarët kanë thënë se buka në Mitrovicë kushton 50 centë, meqë peshon 500 gramë. Sipas tyre, në shumë komuna tjera të Kosovës buka peshon më pak, andaj edhe shitet më lirë.

Ata janë ankuar për koston e lartë si pasojë e shtrenjtimit të derivateve të naftës, mandej artikujve të tjerë si mielli etj. Po ashtu folën edhe për konkurrencë të pabarabartë nga furrtarë të komunave veriore, të cilët nuk paguajnë tatimet dhe shesin bukë në Mitrovicë.

Kryetari Kastrati, ka shprehur mirëkuptim për problemet e tyre, ndërsa ka propozuar që bashkërisht një ekip i zyrtarëve komunalë me furrtarë të vizitojë komunat tjera dhe të shihet gjendja reale.

“Nëse në Skenderaj një bukë shitet për 35 ose 40 centë, atëherë pse në Mitrovicë të shitet për 50 centë”, ka thënë Kastrati.

Furrtarët janë pajtuar për këtë propozim dhe kanë vendosur që të organizojnë një vizitë të tillë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës për të parë çmimet dhe peshën e bukës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›