E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vorbulla euforike e 100-vjetorit...

Historia e një vendi nuk mund tëbëhet për një ditë, javë, muaj apo brenda një viti, siç po duam të bëjmëne në këtë jubile të 100-të të shpalljessë Pavarësisë. A thua se në këto dy dekada demokraci nuk kemi pasur asnjë mundësi për të bërë korrigjimet e nevojshme, por duhej të vinte ky vit për t’i zgjidhur menjëherë të gjitha punët e kësaj bote! Dhe, sikur të mos mjaftonte e kaluara, që na u dashka ndrequr sa më shpejt, duhet që edhe aktivitetet e zhvilluara tani të përfshihen nga entuziazmi që kërkon atmosfera e festës së Pavarësisë, duke e quajtur çdo bëmë të regjistruar për këtë vit sikur të ishte një ngjarje e vërtetë historike. Ashtu siç ndodhi me ata alpinistët tanë që u ngjitën në Himalaja, për të cilët fjalët e mira nuk kanë pse të mos thuhen, por jo që euforia për ta të shkonte deri atje sa të vlerësoheshin si heronj, kur raste të tilla aventurash, bota nuk denjon t’i fusë as nëpër faqet e Librit Ginness! Apo rasti tjetër po nga sporti, kur rezultateve të një peshëngritësi ju bë një vlerësim ekstrem, deri i pakuptimtë, aq sa u nderua me çmim nga vetë Akademia e Shkencave të Shqipërisë, që çuditërisht në këtë rast, merret me “panairin e kotësirave”, duke anashkaluar problemet e mprehta të ditës që i takojnë asaj dhe që presin zgjidhje pikërisht prej këtij institucioni!?...
Historia shkruhet sipas logjikës së fakteve dhe mbetet një libër i hapur për të gjitha kohërat. Në shumë raste, nxitimi të nxjerr në rrugë të gabuar dhe kështu mund të ngjasë edhe tani kur me “aksion” duam që të shkruajmë dhe të rindreqim historinë tonë, duke i mbyllur kapakët e saj brenda këtij viti! Ndërkohë që gjërat nuk bëhen kështu, me urdhër, sipas një shkopi magjik, apo prej pasioneve dhe emocioneve të çastit të ndonjërit, i cili mund të mos ketë asnjë lidhje të veçantë me historinë. Kjo që po përpiqem të trajtoj këtu, më tepër se ndonjë përgjegjësi, duhet të jetë shqetësim i çdo qytetari, për të mos u përfshirë pa arsye në vorbullën euforike të festës, që me të vërtetë duhet të na bëjë krenarë, por jo aq sa të dukemi sikur jemi qendra e botës! Edhe pse historia na ka përballur nëpër kohëra me personalitete të ndryshëm që kanë bërë diçka për këtë vend, megjithatë, po kjo histori shpesh i ka rrëzuar ata e po vazhdon të ulë e të ngrejë flamuj të tjerë, në vend të atyre të mëparshmëve. Më vijnë ndërmend këto mendime, tek ndeshem me përsiatje të tilla që kundërshtojnë njëra-tjetrën, që më shumë krijojnë ngatërresa se sa qartësojnë opinionin, i cili në këto kushte nuk di kë të vlerësojë si atdhetar dhe kë të quaj si tradhtar, sepse tek ne, ku mirëkuptimi është tepër i vështirë për t’u arritur, njerëzit dhe ngjarjet shihen vetëm bardhë e zi dhe sipas shijeve e bindjeve politike! Një ngjarje e këtyre ditëve, kur asnjë pushtetar i Bashkisë së Peqinit nuk ishte i pranishëm në Presidencën e Republikës ku me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë u dekoruan disa përfaqësues të shquar të këtij qyteti, tregoi qartë se edhe kur ka të tillë jubile festivë dhe njerëzit duhet të bashkohen e të miqësohen mes tyre, megjithatë, ndasitë politike bëjnë ligjin duke u bërë mbizotërues të jetës shqiptare!
Kur kujtoj se si fabrikoheshin në diktaturën jo fort të largët komuniste heronjtë e tipit Lej Fen, them se sot nuk duhet të biem kurrsesi në vorbullën euforike të asaj kohe, se kështu i bie që me heqjen e grupit skulpturor të Heronjve të Vigut,( sepse kështu ju tek njërit), të vihen në vend të tyre ca të tjerë të shpikur si heronj, kroati Kuzhe ndoshta, duke përdorur me këtë rast sarkazmën cinike ndaj atyre që trilluan sikur ai të ishte më i miri trajner që ekipi ynë përfaqësues i futbollit kishte pasur ndonjëherë, vetëm se na pat fituar ca ndeshje stërvitore!?
Në Kopenhagen kam parë se si e zotëron sheshin qendror të këtij qyteti monumenti i përrallëtarit danez, të famshëm në të gjithë botën, Andersen; në Oslo pranë Teatrit Kombëtar dhe Pallatit Mbretëror më ka bërë përshtypje madhështia e statujës së dramaturgut të njohur norvegjez, Ibsen; po ashtu figura e kompozitorit gjenial G.Verdi shihet nëpër shumë qytete italiane ku gjithashtu plot rrugë e sheshe mbajnë emrin e tij. Është historia, respekti dhe mirënjohja që vendet e qytetëruara ju kanë dhënë ndër shekuj njerëzve të shquar në kulturë dhe art, nëpërmjet të cilëve kanë krijuar edhe identitetin e tyre, ndërkohë që ne-shqiptarët, lartësojmë më shumë heronjtë e pushkëve, shpatave dhe jataganëve, të cilët i ngremë dhe i ulim nëpër piedestale, sipas kohërave dhe shijeve të njërit apo tjetrit!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›