Marrëveshja për mosmarrëveshje
Kjo klasë e papërgjegjshme politike mund të mbijetojë vetëm duke prodhuar kriza të tilla, të cilat ndihmojnë në politizimin sa më të madh të opinionit, për t’iu shmangur problemeve të grumbulluara dhe zor të zgjidhshme. Brunoja është një i huaj që ka ardhur në Kosovë të bëjë temën e masterit. Fjalët e para shqip i ka mësuar: “Si je?” dhe “Mirë me thanë” Shprehja e dytë e ka intriguar shumë dhe më në fund Brunoja e ka kuptuar se pse kjo është një përgjigje e zakonshme për kosovarët gjatë përshëndetjes. Vërtet këtu duhet të themi mirë vetëm sa për të thënë, sepse gjërat shkojnë keq e më keq. Nga ato gjëra që shkojnë keq e më keq është mungesa e përgjegjësisë e shprehur nëpërmjet moskomunikimit ndërmjet liderëve tanë politikë dhe ndarja e përgjegjësive në vend të pazareve politike. Ndaj duket ashiqare qe kjo klasë jona politike është e marrë vesh që të mos merret vesh kurrë për gjërat me interes të përgjithshëm. Kjo në esencë ka të bëjë me shkallën e përgjegjësisë, e cila edhe nënkupton nivelin e kulturës politike, i cili kurrë nuk ka qenë më në derexhe. Ndryshe edhe në kuptimin biblik dihet se në fillim ishte fjala. Nga ajo burojnë të mirat dhe të këqijat që prodhon në jetën e vet njeriu dhe shoqëria. Bazuar në këtë vendet me demokraci funksionale bërjen e politikave me interes publik e mbështesin në marrëveshje politike. Komunikimi ndërmjet pozitës dhe opozitës ka kuptim kur nëpërmjet tij ndërtohen marrëveshje politike si kompromis për zgjidhjen e problemeve të shumta në interes të shoqërisë dhe vendit. Kështu duhej të ishte edhe marrëveshja për kapërcimin e krizës politike nëpërmjet zgjedhjes së presidentes së vendit. Po shkaku i mungesës së përgjegjësisë, rrjedhimisht të kulturës politike, doli që kjo marrëveshje të ishte bërë për kapërcimin e një krize dhe krijimin e një krize edhe më të madhe politike. Në fakt doli se kjo klasë e papërgjegjshme politike mund të mbijetojë vetëm duke prodhuar kriza të tilla, të cilat ndihmojnë në politizimin sa më të madh të opinionit, për t’iu shmangu problemeve të grumbulluara dhe zor të zgjidhshme.
Po ta shikojmë në kontekst historik këtë situatë të krijuar, del se më ilustruese për këtë është sjellja e kuajve ndaj ujkut. Kur qemë të kërcënuar me ekzistencë fizike, logjika e instinktit na bëri që të bëhemi bashkë dhe të zhvillojmë një shkallë të lartë homogjenizimi. Tash në liri jemi bërë pikë e pesë dhe jemi kthyer ashpër kundër njëri-tjetrit. Dihet se kur tufa e kuajve sulmohet nga ujku, të gjithë kuajt bëhen bashkë dhe ia kthejnë shqelmat ujkut, por kur ujku ikën dhe kalon rreziku, po ata shqelma kuajt nisin e ia hedhin njëri-tjetrit. Për asnjë milimetër nuk është ndryshe me ne. Liderët tanë politikë, të mbështetur në mosdurime dhe në interesa të grupeve, harruan shpejt gjithë atë sakrificë të madhe dhe për hir të pushtetit dëmtuan ashpër shtetin, duke lejuar që të arnohet një qeveri përtej vullnetit të zgjedhësve. Për më tepër, krejt këtë veprim të papërgjegjshëm politik e arsyetuan nëpërmjet demagogjisë politike për kinse instalimin e një pozite dhe opozite të dukshme në kuadër të zhvillimeve demokratike. Nuk duhet shumë dije, madje ajo mjafton të nxihet edhe nëpër këto universitetet trafikuese, që të kuptohet se nuk mund të zhvillohet demokracia në një vend pa sovranitet dhe pa standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Pra nuk mund të instalohet demokracia funksionale në një vend me një problem çfarë është ai i Mitrovicës së Veriut dhe ai i enklave, ku ende vazhdon të përdoret si monedhë dinari serb.
Bazuar në këtë Kosova ka nevojë imediate për marrëveshje ndërmjet subjekteve politike. Vetëm nëpërmjet marrëveshjeve politike, në këtë rast të pozitës dhe opozitës së improvizuar, mund të dëshmojmë përgjegjësi, në të kundërtën vazhdojmë të dëshmojmë papërgjegjësi totale për këtë vend dhe për këtë popull. Pavarësisht deklaratave të faktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, të cilët lehtësisht mohojnë marrëveshjen politike për rastin e presidentes, liderët tanë politikë do të duhej të ishin të përgjegjshëm për fjalën dhe veprimet e tyre. Mbase edhe deklaratat e përfaqësuesve ndërkombëtarë në mbrojtje të presidentes duhet parë nga prizmi i papërgjegjësisë së klasë tonë politike. Ndryshe injorimi i marrëveshjes për rastin e presidentes shkakton një krizë të re, ku përpjekjet për marrëveshje të reja, pa të cilat edhe nuk ka zhvillim politik, bëhen të pamundura. Shikuar nga ky kontekst, dalja nga kjo krizë bëhet e mundur vetëm nëpërmjet një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse ndërmjet liderëve tanë politikë. Prandaj e shoh të arsyeshme dhe shumë të bazuar idenë e Blerim Shalës së AAK-së, i cili edhe ka propozuar një gjë të tillë. Kjo për faktin se me një marrëveshje të të gjitha subjekteve participuese në Kuvendin e Kosovës mund të hapet një kaptin e re e bashkëpunimit kaq të nevojshëm për zgjidhjen e shumë problemeve, duke nisur nga ai i Veriut të Kosovës deri tek reforma zgjedhore kaq e rëndësishme për ne dhe për proceset integruese.
Po në vend se të ndodh kjo, nëpërmjet logjikës konspirative, opinioni publik vazhdon të bombardohet nga thashethemet për rënie qeverie, për prishje koalicionesh dhe bërje koalicionesh të reja, etj. Në këtë mënyrë kjo bëhet për të mbajtur të tensionuar opinionin publik tepër të politizuar dhe për të mbuluar në këtë mënyrë njëmijë të këqija që prodhohen brenda ditës. Mbështetur në këtë logjikë edhe komuna e Ferizajt është zënë peng që nga koha e zgjedhjes së kryetarit të ri. As deri edhe sot nuk dihet se a do të vazhdojë në këtë komunë koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe AKR-së apo do të ndërtohet një koalicion i ri ndërmjet PDK-së dhe AAK-së. Drejtorët e drejtorive komunale vazhdojnë të jenë në pritje të zgjidhjes së këtij ngërçi politik të shkaktuar pa pikë nevoje dhe për interesa të një filozofie më shumë konspirative, e cila kinse do të duhej të shërbente si model për ndërtim koalicionesh të reja edhe në nivel qendror.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Express”