S’na u shqit ky Mark Tueini
Në të vërtet, Samuel Langhoore Clemens ka ndërruar jetë që më 1910–ën. Por, meqë pseudonimi i tij letrar dhe gazetaresk - Mark Tuein - në tërë botën mbetet shumë i njohur edhe në ditët tona, sigurisht që s’do të kishte lexues të përmblidhte buzët përse në titullin e këtyre radhëve vumë përpara një emri të tillë përemrin dëftor ‘ky’. Faktikisht, ky Mark Tueini qëndron brenda kësaj jete dhe shumë pranë njerëzve jo vetëm se romanet e tij të famshme “Aventurat e Tom Sojerit” dhe “Aventurat e Hekelbert Finit” ende pushtojnë në të gjitha kontinentet kërshërinë e dhjetëra milionë fëmijëve, po edhe se ky Mark Tueini kurdoherë bëhet i gjallë dhe nuk u shqitet nga mendja as të rriturve, sidomos me pamfletet e papërsëritshme që shfaqin tablo neveritëse nga realitetet e çdo vendi dhe të çdo kohe. Gjithë ky vështrim i thellë dhe i kudogjendshëm ndoshta i dedikohet parashikimit të tij, se meqë kishte lindur atë ditë të 1935–ës, kur njerëzimi pa të kalonte në atmosferë kometa Halley, në një të tillë ditë të rrallë do të ndërronte jetë. Dhe, po, Mark Tueinin e mori për gjithnjë me vete Halley tek u rishfaq në ciklin e saj të zakonshëm 75–76 vjeçar.
Dikush, që rastësisht mund t’u hedhë tani një sy këtyre radhëve, mund të habitet me autorin e këtij artikulli të një gazete të përditshme, se çfarë lidhjeje kanë shpjegimet e mësipërme me ngjarjet e këtyre ditëve të nxehta në një vend mesdhetar të vogël si Shqipëria. E pse jo? Ai le të shfletojë, për shembull, pamfletin “Si e redaktoja gazetën bujqësore” dhe hajde të mos e gjejë veten në ato rrethana që përshkruhen atje nga ky Mark Tueini! “Rrepën nuk duhet ta shkundni me dorë sepse kështu prishet! Më mirë të dërgoni djalin që të hipë në pemë dhe ta shkundë!”, - u rekomandonte redaktori i gazetës bujqësore fermerëve të zonës. Dhe, cili qe reagimi tërë shqetësim i një abonenti të kësaj gazete? “Tundni gjyshen tuaj! Rrepa nuk rritet në pemë!”.
Pak a shumë kështu u tërheq vëmendjen edhe bujqve shqiptarë Kryeministri i tyre, kur flet për shembull për të mirat e vaditjes dhe që për të disatin vit rresht u premton atyre, se do ta ketë këtë çështje një prioritet strategjik. “Strategjitë e tua tregoja sat’ëme, por mos na prit më ujin dhe mos na rrit çmimin e tij, këtë bëj!”. Kështu dëgjova këto ditë të shprehej përpara televizorit të një lokali një burrë që fshinte ballin me shaminë e bërë qull nga djersët. Nga djersët e motit të nxehtë, nga mungesa e ujit, apo nga ato që nxirrte prej goje kryeministri ynë? – këtë s’pata kohë ta merrja vesh. Sepse, në po atë lokal ku isha ulur të gjerbja një kafe, televizori ndërroi temë dhe tregohej që ritmet e zhvillimit këtu na qenkëshin pakësuar, që ekonomia gjendej në rrezik. Gjendej në rrezik, se shqiptarët nuk shpenzokërkan, - thuhej. Prandaj, o njerëz rrisni konsumin! - buçiste ekrani. Ndërsa, disa klientë të tjerë rrotull meje u ngritën dhe, duke numëruar qindarkat për të paguar çfarë kishin çurufisur e u zdërhallën drejt derës.
Por, këto nuk janë fort mbresëlënëse sepse është bërë e zakonshme kjo mënyrë komunikimi me frymë mashtrimi të pashoq e politikanëve tanë. Ashtu siç dëgjohet kryeministri t’ua mbushë mendjen të tjerëve, se shpëtimi i qytetarëve nga korrupsioni që ka mbërthyer administratën është doemos heqja e imunitetit. Dhe, kur ushtojnë këto fjalë, ca e ca ngrysin vetullat sepse administrata nuk ka imunitet; të tjerë që hiqen si më të shkolluar duan ta justifikojnë këtë pretekst të prijësit me të marrurit e gojës, domethënë që heqja e imunitetit ngatërrohet pa dashje me atë të impunitetit (pandëshkueshmërisë). Lapsus, ç’të bësh, një lapsus i thjeshtë! Dhe, kur kryeministri ynë demek i mallëngjyer për gjendjen e rënduar ekonomike të njerëzve të thjeshtë shton se, sidoqoftë, mbrojtja sociale që bën prej vitesh qeveria e tij qenka e admirueshme, atëherë një zhurmë gazmore përfshihet nga karrocat e invalidëve dhe një valë hareje prej të tërë atyre që nuk shohin e dëgjojnë.
Mark Tueini gjithnjë ka këshilluar te, bie fjala, “Imoraliteti i shtypit, “Gazetaria në Tenesi”, “Kur shërbeja si sekretar” etj, se që të formosh publikun, më së pari duhet ta informosh atë. Pas tij, kështu shprehen pothuajse të gjitha manualet e politikës e të mediave. Dhe, mendo se si gjendesh, kur kryeministri ynë edhe informacionet i merr dhe i jep copë – copë. Për faqe të zezë - ulërijnë disa. Kur një prej ditëve të nxehta të kësaj vere televizori transmetonte si gjithnjë nga mbledhjet e Qeverisë një fjalim të tij për publikun, shumëkush u qetësua dhe përfundimisht e mblodhi mendjen, se paskej qenë në rregull. U qetësua, ngaqë kryeministri kur tentonte t’u diktonte historianëve që të nisin ta rishkruajnë historinë e Shqipërisë, nuk mbeti pa përmendur edhe që kryetar i Kongresit të Drejtshkrimit të shqipes në fillimet e shekullit të kaluar na paska qenë Mit’hat Frashëri. Mirëpo, i madh e i vogël e kanë ditur dhe e dinë që atë tubim të vyer e drejtoi At Gjergj Fishta dhe s’ka nevojë më të verifikojnë kujtesën, apo t’u thërrasin mendve të kokës.
Ashtu siç kanë bërë këta muajt e fundit, kur kryeministri ynë në një takim me biznesmenë kinezë u bëri thirrje atyre që bashkërisht të rindërtojmë hekurudhën Tiranë – Pekin. Oh, sa njerëz, shqiptarë, europianë, kinezë dhe gjithaziatikë u mblodhën kokë më kokë, për të vrarë trutë e tyre, se kur na paska funksionuar kjo hekurudhë dhe si e paskëshin harruar kaq shpejt atë trase mijëra kilometërshe, që kishte pas treguar nivelimet më të holla e të pakuptueshme. Po kështu, pas vizitave të kryeministrit tonë në Azerbajxhan dhe në Turqi, ku për të ngazëllyer politikanët mikpritës, që të kishte mundësinë të arrinte krenarinë t’u kërkonte atyre ndonjë lëmoshë, s’u mendua aspak për t’u thënë që shqiptarët historikisht kanë lëvizur drejt atyre vendeve, duke ngjizur edhe farën e vet për të zhvilluar së paku antropologjikisht popujt me miqësi të ngushtë. Grupe të shumta që shtoheshin çdo ditë u vërsulën rrugëve për të pyetur njëri – tjetrin, përse në gjithë botën sundon parimi i mbështetur shkencërisht që popujt tradicionalisht kanë lëvizur nga Lindja në Perëndim dhe një pjesë e tyre nga Jugu në Veri; përse qenkeshin treguar kaq naivë sa t’i zinin besë këtij parimi, kur kryeministri deklamon me një siguri të pashoqe krejt të kundërtën; përse paska akoma ndonjë, qoftë edhe kryeministër, që dëshiron t’i dalë nami si i çmendur dhe të pasurohet edhe me budallallëkun e vet përse...
Nejse, ç’është e vërteta, pasi kryeministri vijon të këpusë mufka që askush nuk i zë me dorë dhe jo më t’i shijojë, tani shqiptarët janë bindur që vidhat e kokës ende nuk u kanë shkarë aq sa të brohorasin edhe përçartjet në ditët e nxehta të kësaj vere. Por, ndërkohë, nuk mund të mohohet që ka plot të tjerë, ushtarë të kryeministrit, që me babëzinë dhe moskompetencën e tyre kanë marrë përsipër të drejtojnë rrjedhat e këtij vendi, vetëm e vetëm se mbajnë një diplomë në xhep. Kështu, për shembull, a nuk u qan zemra dhe u pret barku për mirëqenien e popullit pikërisht atyre batakçinjve që e grabisin dhe e rrjepin atë çdo ditë? A nuk e drejton ministrinë e Jashtme një ish-veteriner që ka marrë gradë shkencore me temën e rrjedhjes së qumështit nga goja e ripërtypësve? A nuk e zhvillojnë kulturën ata që mburren se nuk dinë shumë, duke llomotitur dhe marrë vendime pa vënë në punë arsyen? Kush ngre zërin më shumë për të ruajtur rendin dhe rrugët nga dëmet që sjell alkooli, përveç atyre që esëll mund të jenë më tepër në varr se sa jashtë tij? Cilët janë ata që pretendojnë më shumë për të garantuar sigurinë e vendit se sa ata që trafikojnë për xhepat e tyre jo vetëm armatimet, por edhe fortifikimet dhe gërmadhat e qëmotit?
Ama, sidoqoftë, gjithkush duhet ta dijë sa vjen e më mirë, se me largimin së shpejti të këtij kryeministri dhe ushtarëve të tij nga betejat për zgjerimin e hapësirave të mjerimit, nuk humbasin ata, por populli. Humbet populli, se ashtu siç bën me dijeni të plotë kryeministri ynë, nga mirëkuptimi i fjalimeve të veta përfitojmë të gjithë. Prandaj, ky Mark Tueini tregon me gisht Pjetrin e Parajsës, që kur dëgjon këto fjalime derdh lot, duke psherëtirë: “Vetëm të vijë ai, pa ne do t’i organizojmë një procesion me pishtarë, për të ndritur një shkëlqim të paparë”. “Në ferr gjithashtu”, – e plotëson “Engjëlli Mbrojtësi” i tij.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)