Imunitarët dhe vargu në qafë
Vjedhja, e rëndomtë apo e sofistikuar, është e vjetër sa lakmia e njeriut. Ajo që ndryshon nëpër sisteme shoqërore është sjellja ndaj saj. Nëse i pranëvëmë dy kohëra njëra pas tjetrës, diktaturën dhe demokracinë, qëndrimet janë të ndryshme. Nostalgjikët apo harraqët i dëgjon, edhe sot e kësaj dite, ta përkufizojnë socializmin e kolektivizmit total si gati pa vjedhje, ndërsa shoqërinë e ekonomisë së tregut të lirë në demokraci si sistemin e vjedhjes pa fre. Këta ende besojnë te propaganda llustruese që mëtonte të rrënjoste bindjen se, në socializëm vjedhja nuk ka bazë ekonomike - domethënë që, njerëzit nuk kishin arsye ekonomike të vidhnin. Atëherë, vjedhja qe kthyer në fenomen thuajse kolektiv, sipas mendësisë të të varfërit dhe si ndëshkim i heshtur ndaj partisë gjithë pronare: “Malli i shtetit është si ujët e detit, kush nuk merr është derr” dhe “Rroftë nata se dita na la!” Në demokraci, nga të qënit të lirë dhe përdorimit të fjalës së huaj korrupsion - në vend të fjalëve shqip vjedhje, hajni, grabitje - ky veprim i dënueshëm është bërë bërë i pranueshëm, kjo dukuri e turpshme ka marrë kuptimin i të qënit i zoti. Ndryshimi është ky: Atëherë kishte vjedhje, dhe nuk pranohej që vidhej. Atëhërë realisht kishte të paprekshëm, por ligjërisht s’ishin të mbrojtur. Tani ka vjedhje, dhe pranohet që vidhet. Ka ligj imuniteti, por qysh prej dhjetë vjetësh kundërshtohet deri në skaj heqja e imunitetin. Ndërsa shoqëria vuan nga ky kancer, edhe vrasës edhe i shëmtuar.
Shumëkush njeh raste, por edhe ky që po të sjellim, është tipik mbi pabarazinë para gjykimit. Në kooperativën bujqësore të Fier-Semanit në Lushnjë, në mes të viteve ’60, të shekullit të kaluar, ka ndodhur kështu: u lajmërua gjithë populli i fshatit Babunjë, për t’u mbledhur në shesh, te zyrat. Përballë tyre zuri vend kryetari i kooperativës me sekretarin e partisë. Pasi foli se nuk duhej të vidhej prodhimi, se kush do të kapej do të dënohej, atë ditë ai bëri një shembull: u ngrit nga vendi, hapi derën e zyrës pas shpinës së vet dhe prej aty doli S.S, një burrë gati dy metra i gjatë, rreth të gjashtëdhjetave në moshë, me një varg kallinjsh misri të njomë lidhur lëpushkash, që i varej nga qafa e deri poshtë gjunjëve. “Ja, ky është hajduti i pronës së përbashkët”, u tha njerëzve të mbledhur. Deri atë mbrëmje, askush nuk kishte parë t’i merrej fytyra një burri, me dhjetë shtalba misri, për t’i pjekur në prush. Përveç kësaj, atë e dënuan edhe me gjobë. S.S. nuk jeton, natyrisht, por nga kujtesa e njerëzve nuk është shlyer turpërimi i tij, ashtu, me varg në qafë, fytyrënxirë përpara popullit. Por askush nuk guxoi të pëshpëriste në kooperativë, çfarë bëri kryetari më vonë. Ai qe nga një fshat aty. Ndërsa të tjerët nuk lejoheshin të shpërnguleshin as nga fshati në fshat, ai u bë banor i qytetit të Lushnjës. Mori tulla, tjegulla e lëndë, nga të kooperativës, dhe me to ndërtoi një shtëpi, m’u në mes të qytetit. Brigadierët, sipas një grafiku, dërgonin me tren, ustallarë dhe punëtorë, të ndërtonin sa më shpejt shtëpinë e kryetarit. Ajo ngrehinë është dhe sot në këmbë, ndërsa kryetarit vjedhës nuk iu prek as qimja e flokut. Edhe ai ka vdekur, por ngaqë nuk pësoi turpërim dhe dënim, njerëzia thuajse e kanë harruar vjedhjen e tij zyrtare.
Shumëkush di raste të sotme, se si një hajn i rëndomtë, ka lënë edhe kryet në pronën e dikujt, i vrarë nga i zoti, apo një zyrtar të jetë rrasur në burg, por në shoqërinë tonë, korrupsioni nuk shihet më si një sjellje e shëmtuar dhe veprim i dënueshëm, një dukuri që i meriton të dyja - edhe turpërimin, edhe ndëshkimin. Ajo që është për të vënë duart në kokë, ka të bëjë me mendësinë llahtarisëse të prishjes së njeriut - pasurimi përmes korrupsionit quhet aftësi, këtij lloj njeriu i thonë “është i korruptuar”, por e cilësojnë edhe “është i zoti”. Ajo që kryen individi, mbetet përgjegjësi e tij dhe ndëshkimit ligjor, por mospranimi apo bllokimi i heqjes së imunitetit, me arsyetimin se cënohet kurajoja e të zgjedhurit në shërbim të demokracisë, është një argument i rrëzueshëm: në këto dhjetë vite, le të themi, çfarë ka qenë më dëmtues, korrupsioni si kancer i zhvillimit apo imuniteti për të mos frenuar deputetin të thotë çfarë të dojë? Midis dy vjedhësve, atij të xhepave, të cilin e nxjerrin edhe nëpër gazeta (si burrin me vargun e kallinjve në qafë, para bashkëfshatarëve) dhe imunitari, i akuzuar për korrupsion (si kryetari që ndërtoi shtëpinë me pasuri të kooperativës), nuk kanë asnjë dallim, pavarësisht nga sistemi shoqëror në të cilin kanë vepruar. Vjedhja, hajdutëria, hajnia, grabitja, nuk ka rëndësi emërtimi, është fenomen që bren çdo sistem. Shoqërinë demokratike e gërryen edhe më lehtë, edhe më shpejt, edhe me keq, edhe më rëndë, pikërisht ngaqë ajo është e lirë dhe nëse para ligjit nuk bëhen të gjithë të barabartë.
Në këto rrethana sëmundjeje, mbajtja e imuniteti me çdo kusht, bëhet i dëmshëm gati saç është e shëmtuar vjedhja. Imuniteti dhe korrupsioni, në përceptimin popullor, janë të përngjitur. Ky opinion, real apo përbaltës, le të përdoret si argument i madh, për t’u vetpastruar, duke mos nguruar asnjë grimë: Të gjithë pa imunitet! Të gjithë të barabartë përpara ligjit, siç Zoti i ka bërë të barabartë në ndëshkim, për në jetën tjetër.