Voskopoja, kryeqendra mesjetare "thërret" në një tjetër rizgjim

Voskopoja i ka të gjitha, myshkun, freskinë, pishat, ajrin, kishat, bagëtinë, livadhet, malin, qiellin, vajzat, ka magjinë e një vendi që s'mund të jetë askund tjetër i tillë.
Teksa vera e nxehtë përvëluese nuk mund të përballohet, freskia dhe ajri i pastër i pishave voskopojare janë gjithçka që do dëshironim, për të kaluar një tjetër gjendje mes ca ditëve qoftë dhe të pakta pushimesh.
Nëse të bie rasti të ndodhesh në Korçë në skajin juglindor të vendit të shqiptarëve, nuk ke si si ta kuptosh këtë qytet pa vizituar qoftë dhe disa çaste Voskopojën, vendin që i ka dhënë kryeqendrës së juglindjes themeluesit e tij, ndërsa vetë jeton mes të shkuarës së bazilikave dhe kishave magjepëse, por dhe një klime të rrallë që do ta dëshironte çdokush.
Korçën e kanë themeluar voskopojarët, ndërsa mbiemrat e mëdhenj të këtyre familjeve janë simboli i kambanave të çdo kishe në këtë vendbanim që ka ndryshuar strukturën e tij nga një qytet dikur i populluar, në një fshat nëse mund të shprehemi kështu, tejet të çuditshëm.
Themi fshat pasi zyrtarisht nga qeveria shqiptare sot emërtohet si i tillë pavarësisht se rrënimi që i ka dhënë koha, nuk mund të zbehë realitetin e dikurshëm të madhështisë.
Voskopoja, një identitet i fortë kombëtar ka se çfarë të rrëfejë, ndonëse pak nga pak është duke marrë fytyrën e një qendre të vërtetë të turizmit malor, por dhe atij kulturor padyshim.
Siç thotë një shkrimtar i njohur anëtar i parlamentit të vendit: Voskopoja i ka të gjitha, myshkun, freskinë, pishat, ajrin, kishat, bagëtinë, livadhet, malin, qiellin, vajzat, ka magjinë e një vendi që s'mund të jetë askund tjetër i tillë.
Teksa vera e nxehtë përvëluese nuk mund të përballohet, freskia dhe ajri i pastër i pishave voskopojare janë gjithçka që do dëshironim, për të kaluar një tjetër gjendje mes ca ditëve qoftë dhe të pakta pushimesh.
Sezoni turistik në këtë vend që ka një histori prej disa shekujsh, nuk ka vetëm një stinë. Vera mbetet e preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, por të katër stinët në këtë zonë janë thjesht magjike. Për të mos iu ndarë verës në Voskopojë ka filluar të ndihet gjallëria e mysafirëve të shumtë në të.
Kryetari i komunës, Nexhip Bacelli, thotë se në këtë stinë Voskopoja popullohet me rreth 1 mijë banorë, ndërsa fundjava duket se është dhe më e begata pasi më shumë se 300 shtretër të hoteleve dhe familjeve zihen nga pushuesit e shumtë që adhurojnë turizmin malor.
Investimet gjatë këtij viti kanë qenë të shumta, ndërsa përfundimi i punimeve të rrugës Korçë-Voskopojë ka shtuar numrin e atyre që nuk mund t'i qëndrojnë larg kësaj zone. Pas të gjitha masave të marra, i janë hapur dyert pushuesve për të shijuar freskinë, ajrin e pastër, pa harruar dhe ushqimet tradicionale sigurisht krejtësisht natyrale.
Autoritetet lokale kujdesen për ambientin dhe rregullin e një pastërtie të dëshirueshme nga të gjithë, por duke u treguar tejet të kujdesshëm në ndërtimet që janë të vrullshme në këtë vend, sidomos në dy vitet e fundit.
Rrugë dhe emra...
Voskopoja është e pafundme në surprizat e saj. Fshati dikur një qendër e rëndësishme e Shqipërisë, sot vjen ndryshe me rrugët e tij karakteristike të cilat mbajnë emërtimet e vendosura. Një nismë e veçantë kjo nga komuna, për të mos lënë pas edhe 8 nga 26 kishat e dikurshme.
Të habit fakti se janë më shumë se 14 rrugë që kanë emërtime të figurave të njohura të kujtesës voskopojare. Rruga e vëllezërve Zografi, rruga e David Selenicës, Teodor Kavaljoti etj. Janë shumë por të shoqëruara me sinjalistikën bashkëkohore bëhen edhe më intriguese.
Në këtë vend mes sfidës së historisë dhe rikthimit të një qendre të rëndësishme si shekuj më pare, nuk mund të humbasësh. Rrugët janë ato që të çojnë padyshim në zemër të tij. Por nëse ato shoqërohen me emërtesa që vijnë nga e shkuara e ndritur, çdo ecje në këto kalldrëme të hijshme bëhet gati gati e paharrueshme.
Histori dhe jo vetëm...
Voskopoja rreth 21 kilometra larg Korçës ka pasur lulëzimin e saj në fillimim të shekullit të 18-të kohë në të cilën u ndërtua Akademia e re, biblioteka, shtypshkronja, një spital, një azil për të varfrit etj.
Madhështia e kësaj qendre të rëndësishme kulturore dhe turistike nuk mund të zvenitet kurrsesi nga koha dhe aq më pak nga njerëzit të cilët nuk mund ta harrojnë nëse vijnë qoftë dhe disa çaste të vetme në të.
Voskopoja është një nga pikat e rëndësishme turistike dhe kulturore të rajonit të Korçës. Pozicioni i favorshëm gjeografik, peizazhi përherë mbresëlënës në të gjitha stinët nuk mund të marrin kuptim pa historinë gati legjendare të këtij qyteti të dikurshëm. Voskopoja mendohet të jetë themeluar rreth shekullit të XIV.
Kulmin e lulëzimit të saj e arriti në shekullin XVIII periudhë që pati dhe zhvillimin më të madh tregtar dhe kulturor. Gjatë kësaj kohe ajo renditet si qyteti i dytë më i madh i Perandorisë Otomane pas Stambollit, tregojnë dokumentet e kohës.
Pikërisht në këtë periudhë në të numëroheshin rreth 50 mijë banorë, ndërsa numëroheshin 26 kisha nga të cilat sot kanë mbetur vetëm 8. Qyteti ishte formatuar me rrugë me kalldrëme, trotuare dhe kanalizime. Tregtarët voskopolitë, siç thirreshin asokohe, frekuentonin tregjet e qendrave kryesore të Ballkanit dhe Evropës.
Teodor Kavaljoti, Sevasti Leontiadhi, Mihal Gora, Grigor Moskopoliti janë disa nga personalitetet e shquara të Voskopojës të shekullit XVIII. Fundi i shkëlqimit të saj erdhi së bashku me shkatërrimin total të qytetit gjatë viteve 1769, 1772 e 1789. Por goditjen përfundimtare Voskopoja e mori në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore. Që atëherë ajo pësoi një transformin të dhimbshëm duke u kthyer në një fshat me pak rëndësi nga ana ekonomike.
Në vend të një përshëndetjeje, një foto...
T'i largohesh Voskopojës duket e vështirë, por ca kujtime në celuloid do të ishin pak për t'i mbajtur brenda vetes në kujtesë. Askush s'mund të largohet e të mos kthehet pas në këtë vend përrallash, por më parë një foto në kishat e Voskopojës apo në natyrën e saj do të ishin gjëja më e bukur për t'i rrëfyer si objekte të çmuara të verës 2010...