Voskopoja, vendi ideal për ditët e nxehta

Voskopojarë që për arsye të ndryshme janë larguar nga ky vend fantastik, turistë dhe vizitorë të shumtë zgjedhin Voskopojën si destinacionin e tyre turistik, gjatë ditëve të nxehta të verës.
Disa prej tyre ndalen për të kaluar këtu një fundjavë, ndërsa të tjerë programojnë pushime më të gjata me familjen e tyre. Arsyet pse zgjedhin këtë fshat turistik të Korçës janë të shumta, por investimet e fundit që kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën, klima mjaft e mirë si dhe trashëgimia historike dhe kulturore që ajo ofron, janë ndër më kryesoret.
Përveç bukurive natyrore, Voskopoja është e pasur dhe me shumë monumente kulture, siç janë kishat të cilat ngjallin interesin e vizitorëve. Ajo gjithashtu çmohet për mikpritjen dhe kulinarinë, ndërkohë që ofron mundësi edhe për shtigje të shumta malore, për të gjithë ata që janë të apasionuar pas natyrës dhe aventurave.