E Martë, 3 Nëntor 2026

Voskopojë/ Fshati piktoresk i preferuar nga turistët edhe në verë

Fshati turistik i Voskopojës çdo ditë e më tepër po pushtohet nga turistët, duke u renditur në një ndër destinacionet e preferuara për pushimet verore.

Rritja e numrit të njësive të akomodimit ka bërë që ky numër të vijë në rritje, ndërkohë që investimet e kryera së fundmi në infrastrukturë kanë favorizuar edhe më tepër turizmin malor.

E ndodhur vetëm 18 kilometra larg nga qyteti i Korçës, për të shkuar deri në këtë fshat tashmë nuk ka asnjë pengesë, pasi edhe infrastruktura është favorizuese pas asfaltimit të aksit rrugor.

Voskopojës nuk i mungojnë as turistët e huaj, që përzgjedhin të shijojnë bukuritë natyrore që ky vend ofron.

“Vijmë shpesh. Na pëlqen. Është vend i bukur, turistik, i qetë, vend për familjarë,” thotë një qytetar.

“Kemi ardhur shpeshherë. Kemi ardhur edhe për 28 Nëntorin. Është bukuri e rrallë,” shprehet një turiste maqedonase nga Struga.

Në Voskopojë vizitorët kanë mundësi të shijojnë natyrën dhe ajrin e pastër, të vizitojnë kishat e shumta, të shohin shtëpitë e ndërtuara me gurë apo të shijojnë kulinarinë tradicionale të zonës.

Gazetar: Marjo Merhori

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›