Syzet për kompjuter/ Studimi i ri nxjerr se nuk i mbrojnë shumë sytë nga lodhja

Syzet për filtrimin e rrezatimit blu të ekraneve mund të mos ndikojnë në pakësimin e lodhjes së syve nga përdorimi i kompjuterit dhe mbetet i paqartë efekti i tyre në përmirësimin e cilësisë së gjumit dhe shëndetit të retinës.
Ky është përfundimi i përmbledhur i një studimi të publikuar në revistën “Cochrane“, siç raporton The Washington Post.
“Ne mendojmë se të rriturit e shëndetshëm nuk kanë pse të përdorin xhama që filtrojnë dritën blu, me qëllimin për të pakësuar lodhjen e syve nga përdorimi i kompjuterit,” tha Laura Downie, autorja e studimit, po ashtu profesore e asociuar i optometrisë dhe shkencës së shikimit në Universitetin e Melburnit.
Studimi i bazuar në 17 teste rastësore në një mjedis të kontrolluar, të cilat janë botuar më herët në databazën e “Cochrane”, konfirmon ato që profesionistët për kujdesin e sytë e kanë thënë prej kohësh për këto lloje syzesh që sa vijnë e përhapen.
“Nuk ka vërtet asnjë provë që syzet bllokuese të dritës blu kanë ndonjë ndikim të mirë nga ana shëndetësore, madje mund të mos kenë as ndikim në kuptimin okular kur bëhet fjalë për sytë,” thotë kirurgu i syve, Rahul Khurana.
Sipas kompanive që prodhojnë syze të tilla, si Warby Parker dhe Felix Grey, xhamat për dritën blu mund të lehtësojnë gjumin kur kaloni kohë të gjatë para ekranit, mund të pakësojnë lodhjen apo tharjen e syve.
Disa prodhues i ofrojnë këto xhama kundrejt tarifave shtesë që shkojnë deri në sa 50 dollarë.
Dr. Khurana rekomandon që personat duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të mbyllin herë pas here qepallat e syve për t’i qetësuar ata, deri 15 herë për minutë.
“Kur jeni të përqendruar te diçka, duke parë ekranin ose kompjuterin, refleksi për mbylljen e qepallave ulet 5–7 për minutë, dhe si rezultat i kësaj, sytë thahen,” shpjegon Khurana, i cili është edhe zëdhënës i Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë. /WP
/rtsh.al/