E Martë, 3 Nëntor 2026

Vota nga jashtë, Topalli: Në Greqi po ndodh krim zgjedhor, OSBE-ODIHR të nisë vëzhgim të rreptë

TIRANË, 7 maj /ATSH/ E deleguara politike e Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topalli reagoi sot lidhur me votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Në një konferencë për shtyp, Topalli deklaroi, se ajo që po ndodh në Greqi është një krim zgjedhor. Sipas saj, “po ndodh manipulimi politik i votave”, teksa i bëri thirrje OSBE-ODIHR të nisë një vëzhgim të rreptë ndërkombëtar.

“Dua të shpreh një shqetësim të thellë, serioz dhe urgjent në fakt, për çfarë po ndodh edhe në këtë moment, edhe dje, pardje dhe pesë ditë më parë në Greqi. Vijojnë të vijnë informacione që në ato që quhen qendra të shërbimeve postave që zakonisht janë lokale të lojërave të fatit, njerëz të paidentifikuar, pa i kërkuar identifikimin e tyre, marrin jo 1, por 10-20-50 dhe 100 zarfe votimit dhe i kthejnë në këto lokale pa firmë dhe pa shenjë identifikimi të tyre”, tha ajo.

“Nëse një votë hidhet në një lokal të lojërave të fatit, në errësirë, pa identifikim dhe pa firmë të personit që i merr, sigurisht që kjo është një votë që nuk mund të vlerësohet”, theksoi Topalli.

“Nuk jemi thjesht në kushtet e një shkeljeje ligjore kur ky fenomen nuk është vetëm në një zonë, por është shpërndarë në të gjithë territorin, në të gjithë lokalet e lojërave të fatit, sigurisht ky e ka emrin manipulim i procesit zgjedhor në Greqi. Kjo ka bërë që ne për të disatën herë të reagojmë”, u shpreh Topalli.

Ajo i bëri thirrje thirrje ODIHR dhe OSBE që, “të kenë një fokus të veçantë me procesin që po ndodh në Greqi”.

“Një monitorim ndërkombëtar mbi procesin që ka kaluar jashtë kontrollit dhe që për ne, gjykojmë dhe kemi të gjitha dyshimet se po kryhet nga partia në pushtet, ne kërkojmë mbështetjen dhe monitorimin ndërkombëtar”, deklaroi Topalli.

“I rikthehemi dhe i bëjmë thirrje KQZ të bëjë auditimin e të gjithë kutive të votimit, mënyrën e transportit të tyre së bashku me fletët e votimit që kanë çuar në Greqi, dhe transportit të tyre nga Greqia në Shqipëri”, tha Topalli.

Topalli gjithashtu i kërkoi SPAK që “të nisë një hetim penal dhe t’i përgjigjet pyetjeve se kush janë ato të cilët po përdorin dhe po kryejnë veprime ekstraligjore dhe po marrin pa identifikim dhe nënshkrim votën që është një vullnet i besimit të qytetarëve shqiptarë të cilët duhet ta kenë lirinë e tyre dhe për të sjellë vullnetin e tyre”.

Gjithashtu Topalli u shpreh se ka qindra raste kur ata që kanë votuar jashtë gjejnë emrin edhe në listat zgjedhore brenda vendit.

“Ajo që po ndodh në Greqi është një rast i veçantë, por nuk është hera e parë që ka pasur problematika dhe shkelje në vende të tjera. Për shembull, në Italinë e jugut, ka pasur dhe atje shkelje apo përpjekje për të korruptuar postierët”, tha ajo.

“Kjo nuk është dita e parë që po flasim për këtë temë, gjatë gjithë kësaj jave në mënyrë të përditshme kemi dalë për të tërhequr vëmendjen dhe për t’i bërë thirrje KQZ-së që të kërkojë llogari, pasi DHL, si nënkontraktor, ka dalë jashtë kontrolli dhe ne kemi dyshime të thella që po kontrollohen nga njerëz të pushtetit, sepse gjithë procesi është dezintegruar. Ky është një cenim i rëndë i integritetit zgjedhor në shtetin grek. Përsëris, kjo nuk është thjesht një shkelje e ligjit, por është një proces që ka dalë jashtë kontrolli. Prandaj po kërkojmë edhe OSBE/ODIHR, sepse ky vëzhgim ndërkombëtar është i domosdoshëm”, shtoi Topalli. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›