“Votat e PDS do i mbrojmë vetë, nuk i besojmë PS-së”
Zgjedhjet e vitit 2013, Milo pesimist për respektimin e marrëveshjes nga Rama
Partia Demokracia Sociale diskutoi dje në Komitetin e saj Drejtues, përgatitjet lidhur me fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Në fjalën e tij, kryetari i PDS-së, Paskal Milo u shpreh se “organizim, program, strategji dhe taktikë” janë katër kolonat mbi të cilat do të mbështetet kjo parti e qendrës së majtë për futjen në zgjedhjet e ardhshme. Milo iu referua edhe raporteve të PDS me partinë më të madhe të opozitës, PS-në, duke u shprehur skeptik për një marrëveshje funksionale dhe me interes të ndërsjellë garantimin e votave gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Në këtë sens, kreu i PDS tha se do t’i mbrojnë vetë votat. “Për 23 qershorin na duhet organizim, program, strategji e taktikë e përsosur për të shkuar të suksesshëm në këto zgjedhje. Organizimin e kemi nisur që në shtator. Ndodhemi në procesin e diskutimit dhe finalizimin e kandidaturave për hartimin e listave, një proces që duhet të përfundojë brenda janarit 2013. Kemi shumë për të bërë në fushën e organizimit, vetëm strukturat reale në çdo qendër votimi do të mund të mbrojnë votat. Ne duhet të fokusohemi tek rinia, gratë dhe tek ajo shtresë gri ku potencialet politike janë të pashfrytëzuara”, theksoi kryetari i PDS-së. Duke u ndalur tek programi i kësaj partie, Milo tha se ai është një program social, që nga njëra anë do të vërë në dukje keqqeverisjen e mazhorancës aktuale, ndërsa nga ana tjetër do të paraqesë alternativën se si mund të ecet përpara.