“Politika të distancohet nga konfliktet artificiale të cilat mbajnë peng marrjen e statusit kandidat”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim takim me anëtarë e simpatizantë në Gjirokastër
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i LSI-së për Qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, dhe nga kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka zhvilluar një takimi me gratë dhe vajzat anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Gjirokastrës. Në këtë takim Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se fuqizimi i rolit të gruas shqiptare është një nga sfidat më të rëndësishme të LSI-së. Sipas tij kjo do ta ndihmojë Shqipërinë, shoqërinë, familjen që të eci më shpejt në rrugën e progresit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën e solidaritetit. Ilir Meta u shpreh se hendeku më i madh nuk është midis dy palëve në Parlament por hendeku më i madh dhe më i thellë në të gjithë shoqërinë tonë është midis frymës konfliktuale në Parlament dhe bashkëjetesës mjaft qytetare në Gjirokastër dhe në të gjithë Shqipërinë midis të gjithë qytetarëve pa dallime partiake. “Politika duhet të distancohet nga ato konflikte artificiale të cilat mbajnë peng zhvillimin e vendit, zhvillimin e shoqërisë, progresin e ekonomisë dhe të reforma sociale dhe njëkohësisht edhe marrjen e statusit kandidat për në Bashkimin Europian”. Gjithashtu kreu i LSI vuri në dukje se, “problemet janë të njëjta për të gjithë, vështirësitë janë të njëjta për të gjithë. Është kjo frymë konfliktuale jashtë këtij realiteti që nuk e nderon vendin tonë, shoqërinë tonë në raport me Bashkimin Europian dhe objektivin tonë për tu anëtarësuar atje por njëkohësisht edhe bën një imazh negativ për vendin dhe për qytetarët që nuk e meritojnë. Ne nuk e meritojmë për një arsye shumë të thjeshtë se qytetarët tanë kanë fituar në 22 vite tranzicion, demokraci, zgjedhje të njëpasnjëshme një eksperiencë për tu pasur zili dhe një kulturë të lartë demokratike. Mjafton t’ju përmend një fakt: Përpara se të liberalizoheshin vizat për shqiptarët nga BE ne dëgjonim edhe këtu, edhe nga politikanët tanë, edhe politikanë të caktuar në Europë që thoshin se pavarësisht se Shqipëria ka plotësuar detyrimet po të liberalizohen vizat një milion shqiptarë mund të mbeten në Bashkimin Europian dhe nuk do të kthehen më. Por kjo gjë nuk u provua përkundrazi u tregua e kundërta. Më shumë se sa një milion qytetarë shqiptarë udhëtuan që nga ajo kohë në vendet e Bashkimit Europian dhe sikurse e konfirmojnë edhe vetë raportet ndërkombëtare qytetarët shqiptarë i plotësuan detyrimet që vinin nga marrëveshja ‘Shengen’ më mirë se sa qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo tregon që qytetarët tanë edhe pse kanë vështirësi, edhe pse kanë probleme, përsëri janë të ndërgjegjshëm, janë të përgjegjshëm dhe janë të aftë e të gatshëm të marrin përgjegjësi dhe të sillen si europianë”.
Sipas tij është kjo frymë konfliktuale jashtë këtij realiteti që nuk e nderon vendin tonë, shoqërinë tonë në raport me Bashkimin Europian dhe objektivin tonë për tu anëtarësuar atje por njëkohësisht edhe bën një imazh negativ për vendin dhe për qytetarët që nuk e meritojnë. “Të bashkëpunojmë për të plotësuar këtë detyrim që është i të gjithë shqiptarëve, nuk është i njërës apo tjetrës forcë politike. Të mos e vonojmë Shqipërinë asnjë minutë më shumë se sa është vonuar në historinë e saj për të qenë vërtet një vend i barabartë me vendet dhe kombet e tjera të qytetëruara të Europës. Shqiptarët e meritojnë këtë, sepse gjirokastritet dhe gjirokastritet e meritojnë këtë sepse kjo është rruga për të përmirësuar standardet e shoqërisë sonë, por edhe jetesën e çdo familjeje gjirokastrite në Shqipëri”. Gjithashtu kreu i LSI vlerësoi si jashtë kontekstit “gara e jashtëzakonshme për deklarata patriotike apo nacionaliste”. “Të jesh patriot do të thotë të sakrifikosh për interesat e vendit dhe sot interesi i vendit është që të ngrihemi mbi interesat e vogla, qofshin ato edhe të partive që përfaqësojnë dhe të plotësojmë ato detyrime që kërkon Bashkimi Europian dhe që plotësojnë aspiratën e të gjithë shqiptarëve për t’u integruar sa më shpejt në Europën e Bashkuar” nënvizoi Meta. Në fund të fjalës së tij, kreu i LSI u shpreh i sigurt se “23 qershori do të jetë një ditë që do të tregojë edhe një herë tjetër emancipimin e shoqërisë sonë, e cila do t’i vërë notën çdo force politike për atë kontribut, apo për atë dëm që ka bërë ndaj vendit, ndaj shoqërisë, ndaj komunitetit gjatë këtyre katër viteve”.