E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivlerësimi i votave, Rama rikuperon 3 ndaj Bashës

Shumë zhurmë për asgjë. Kjo është shprehja që i shkon për shtat situatës që prodhoi në KQZ kërkesa e demokratëve, për të rivlerësuar të gjitha votat e kontestuara gjatë procesit të numërimit nga GNV-të. I gjithë ky proces, jo vetëm që s’ka sjellë asnjë përfitim, në drejtim të kandidatit demokrat, por përkundrazi ka sjellë si produkt të vet reduktimin e diferencës mes Lulëzim Bashës dhe Edi Ramës në 78 vota. Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbyllur dje rivlerësimin e votave të kontestuara për 26 kuti, ndërsa sot pritet të vendosë për votat e 117 kutive të numëruara një herë më parë prej tij apo edhe për ndonjë kuti tjetër shtesë, që mund të paraqitet për t’u këqyrur nga ana e PD-së. Në total, për dy ditë kandidati i majtë Edi Rama ka mundur të rikuperojë vetëm 3 vota, pasi ka marrë 16 vota kundrejt 13 votave të kandidatit të së djathtës, Lulëzim Basha, duke e çuar kështu në vetëm 78 vota diferencën mes tyre.

Kutitë boshe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vijuar dje procesin e rivlerësimit të votave të kontestuara gjatë procesit të numërimit të votave nga GNV, edhe për 14 kuti të tjera. Ashtu si ditën e parë është përsëritur rëndom fenomeni i mungesës së zarfeve të votave të kontestuara, çka ka sjellë për rrjedhojë dhe ecjen me shpejtësi të këtij procesi. Megjithëse në librat e protokollit kishte shënime, se në kutitë përkatëse kishte pasur vota të kontestuara, ato në shumicën e kutive nuk janë gjetur, pasi KZAZ-të, pasi kanë bërë vlerësimin e tyre i kanë ndarë ato nëpër zarfat e kandidatëve respektiv. Kështu një fenomen i tillë ka qenë prezent në 4 kuti dhe për rrjedhojë procesi nuk ka prodhuar asnjë rezultat. Ndërkohë, që për katër kuti të tjera, KQZ pasi i ka hapur ka dhënë të njëjtin vlerësim si KZAZ, për të gjitha fletët e kontestuara, çka për rrjedhojë nuk ka sjellë asnjë debat.

Votat e kontestuara

Vetëm 4 kuti kanë qenë ato që kanë pasur nevojë për rivlerësim të votave të kontestuara nga KQZ dhe që si përfundim kanë sjellë dhe vota shtesë për secilin kandidat. Kështu, kutia me numër 1942/1kishte 4 fletë të kontestuara, 3 nga të cilat u miratuan si vota të vlefshme në favor të Bashës edhe me pëlqimin e nënkryetares, Dëshira Subashi, e cila ka votuar pro vlerësimit të tyre si të vlefshme, ndërkohë që anëtari tjetër i majtë Artan Lazaj ka votuar kundër. Ndërkohë vota e katërt e kësaj kutie është vlerësuar si e pavlefshme me 4 vota kundër dhe dy vota pro (Hysen Osmanaj dhe Vera Shtjefni votuan për vlefshmërinë e saj). Një kuti tjetër që ka sjellë edhe debat në sallë ka qenë ajo me numër 1963 në KZAZ 53, ku nga rivlerësimi i votave të kontestuara, Rama ka marrë një votë më shumë sesa i kishte dhënë KZAZ dhe sesa ishte reflektuar edhe në librin e protokollit. Ndërkohë po në këtë kuti është evidentuar edhe një fletë votimi, ku në kuadratin e përcaktuar për të vendosur shenjën e zgjedhjes për kandidatin Lulëzim Basha ishte shkruar fjala “vrasës”. Kjo fletë votimi me kërkesë të socialistëve është shpallur e pavlefshme. Kutia më e “begatë” për të dy kandidatët doli ajo me numër 1962, ku Rama mori 10 vota dhe Basha 4. Kutia e fundit e këqyrur ishte ajo me numër 1977, e cila ngjalli jo pak debate në sallë, jo vetëm mes anëtarëve të KQZ-së, por edhe përfaqësuesve të partive. Shkak është bërë një votë e gjetur më shumë sesa ishte fiksuar në librin e protokollit, apo edhe sesa ishte shumatorja e të gjitha votave të gjetura dhe të pasqyruar në tabelën e rezultateve. Për këtë kuti, në librin e protokollit jepej informacioni se gjatë numërimit të votave nga GNV, ishin kontestuar 48 fletë votimi, nga të cilat pas rivlerësimit që i kishte bërë KZAZ-ja ishin ndarë 32 për Bashën, 14 për Ramën dhe 2 ishin vlerësuar si të pavlefshme. Ndërkohë që gjatë procesit të rivlerësimit, dje KQZ i ka dhënë Bashës 34 vota, Ramës 14 dhe kandidatit komunist Hysni Milloshi 1 votë, pra në total 1 votë më shumë sesa ishin konstatuar në fazën e parë të numërimit nga GNV. Kjo ka ngjallur debat, pasi socialistët kanë këmbëngulur se vota e dalë tepër prish gjithë tabelën e rezultatit të kësaj qendre, pasi dalin më shumë vota sesa votues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›