E Diel, 1 Nëntor 2026

Votat e të burgosurve favorizojnë opozitën

30/06/2009  Të arrestuarit gjatë qeverisjes së PD-së, i japin votën PS-së. Kjo ndodh edhe anasjelltas

TIRANE- Dy ditë më parë rreth 4568 të burgosur kanë marrë pjesë në votime, ku secili prej tyre nga ambientet e vuajtjes së dënimit ka hedhur votën në kuti, për të zgjedhur forcën politike që do të qeverisë vendin për katër vitet e ardhshme. Përtej zhvillimeve që kryheshin në të gjitha qendrat e votimit që ishin shtrirë në territorin shqiptar, brenda mureve të këtyre institucioneve situata ishte mjaft e qetë, dhe mund të thuhet me plot gojë se procesi zgjedhor i zhvilluar në këto qendra ka përmbushur plotësisht të gjitha standardet e vënë nga ndërkombëtarët. Si rrallë ndonjëherë manipulimet e dikurshme apo presionet nga kandidatët e partive nuk janë vënë re gjatë procesit, ndërkohë që problemet që haseshin në qendrat e Shqipërisë, si mungesa e vulës, bojës, apo disa mangësive të tjera, në burgjet shqiptare thuajse nuk kanë ekzistuar fare. Mirëpo përtej situatës zgjedhore që u zhvillua qetësisht, në burgjet më të mëdha të vendit si në Burrel, Peqin, Rrogozhinë, 313 Tiranë, 302, Tiranë, 325 Tiranë e të tjerë ka lindur pyetja se cila parti mund të ketë fituar nga votat e të dënuarve. Parashikimet e ekspertëve, por edhe personave (avokatë, prokurorë, gjyqtarë) që ndjekin ligjërisht proceset gjyqësore të personave të arrestuar dhe të dënuar, thuhet se partia që është favorite për të fituar nga votat e të burgosurve është partia opozitare. Të paktën këtë konkluzion, avokatë e gjyqtarë e nxjerrin nga ajo çka kanë parë gjatë seancave gjyqësore, ku shpesh herë të pandehurit në momentet e vështira akuzojnë drejtpërdrejt njerëz apo segmente të partisë që është në pushtet, se ata kanë gisht në arrestimin e tyre. Për ta kjo gjë nuk ndodh vetëm në disa grupe kriminale, të cilët dihet që kanë akuzuar publikisht qeverinë, por ky rezultat del edhe tek të arrestuarit e tjerë që akuzohen për vjedhje, apo vepra të ndryshme penale më të lehta. Sipas ekspertëve, logjika e personave të arrestuar në shumicën e rasteve hedh akuza ndaj policisë. Mirëpo duke qenë se punonjësit e kësaj të fundit, drejtohet nga qeveria, atëherë e gjithë pakënaqësia e të dënuarve apo të arrestuarve bie mbi qeverinë. Specialistët shprehen të bindur se shumica e personave të arrestuar gjatë këtyre 4 viteve, do të kenë votuar Partinë Socialiste, pasi tek ajo shikojnë një shpresë për të fituar lirinë. Mirëpo ky parashikim nuk do të thotë që partia që është në pushtet të mos marrë asnjë votë, pasi në burgje ka persona që janë arrestuar dhe dënuar në periudhën kur në pushtet ka qenë PS-ja.

Pjesa që favorizon opozitën

Një pjesë e të burgosurve që me votat e tyre favorizojnë fitoren e partive opozitare janë të pandehurit e bandës së Cërrikut, bandës së Durrësit, të Qafë Gjashtës si dhe një sërë të pandehurish të tjerë. Pozicionimi i tyre është vënë re shumë qartë gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore, ku të pandehurit si Lul Berisha, Roland Xhapexhiu, Met Bozi apo të tjerë kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë, duke thënë se arrestimi i tyre është politik.

Favorizuesit e qeverisë

Ndërkohë që një pjesë e të burgosurve që me votat e tyre mund të kenë favorizuar partitë e mazhorancës janë Gazmend Braka ose siç njihet ndryshe me emrin “Gaxhai”, Zani Çaushi, Lulëzim Caka e të tjerë. Këta persona megjithëse mbi supet e tyre mbajnë shumë vite dënimi, e kanë deklaruar haptazi se janë militantët më të flaktë të Partisë Demokratike. Shpesh herë ata nga qelia e tyre e burgut kanë hedhur akuza për drejtuesit e PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›