E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, strategjia e PS me padinë në prokurori

Tiranë- Beteja e Partisë Socialiste për Tiranën duket se do të shtrihet përtej shpalljes “de jure” të fituesit nga Kolegji Zgjedhor. Siç ishte paralajmëruar, selia rozë ka depozituar dje në Prokurorinë e Tiranës, padinë mbi mospërputhjen e numrit të votave të gjetura në kuti, me ato të votuesve, me pretendimin se gjatë administrimit të zgjedhjeve janë kryer falsifikime. Padia e firmosur nga sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj, përfshin tabelat për 117 qendra votimi në Tiranë, ku sipas socialistëve, votat e zgjedhësve nuk janë të barabarta me ato të gjetura në kuti. Por kjo padi dhe provat që janë në të, të shpallura tashmë nga avokatët e socialistëve dhe nga numri dy i kësaj partie, Gramoz Ruçi, nuk kanë më mundësi të depozitohen në KQZ.

Arsyeja është e thjeshtë; për shkak të djegies së afateve kohore, që duhet të plotësojë një ankesë ankimore. Mospërputhja e numrit të votave të gjetura në kuti me numrin e zgjedhësve, sipas Kodit Zgjedhor, kishte mundësi të ankimohej në KQZ deri në mesnatën e 26 majit, 72 orë pas vendimit të KQZ. Por kjo nuk ndodhi. PS në atë datë ankimoi në KQZ dy vendime për Tiranën, por jo mospërputhjen e votave me numrin e zgjedhësve.

Paditë në KQZ e Kolegj

PS deri tani, në lidhje me rezultatin e Bashkisë së Tiranës, ka bërë në KQZ dy ankimime: një për kundërshtimin e vendimit për miratimin e tabelës së rezultateve për njësinë 5 dhe një për kundërshtimin e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të gjithë njësisë vendore Bashkia Tiranë. Ndërsa në Kolegj, padia e bërë ditën e premte dhe që do të marrë përgjigje të premten e kësaj jave, ka të bëjë me konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së numër 709, datë 23.05.2011 “Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për kryetarin, Këshillin Bashkiak, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, të cilat aksidentalisht nuk janë hedhur në kutinë respektive të votimit të së njëjtës qendër votimi, në zgjedhjet e Bashkisë Tiranë.

Nga ana tjetër, selia rozë duket se është investuar në një pistë të tretë, përveç KQZ-së dhe Kolegjit, që ka të bëjë me ndërkombëtarizimin e çështjes së votave të gabuara të Tiranës. Por e papritura e strategjisë së PS, në betejën për bashkinë e kryeqytetit, ishte rruga e katërt, ajo që u zbulua dje me padinë në prokurori. Nisur nga procedurat që ka hetimi në Prokurori, për mbledhjet e provave dhe dëshmive, pritet që kjo çështje të zgjasë përtej vendimeve të Kolegjit, i cili më 3 qershor do të japë një vendim shumë të rëndësishëm për fatin e fituesit të Tiranës. Duket se kjo ka qenë dhe arsyeja e zgjedhjes së socialistëve, të cilët me këtë rrugë mendohet që ta zgjasin më shumë në kohë rezultatin final për Bashkinë e Tiranës dhe ta mbajnë të ndezur debatin ligjor dhe politik për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›