E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votë ndëshkuese, jo votë e bardhë

Denar Biba/jurist, ish-anëtar i KQZ-së

-Dje takova një mikeshën time. Biseda erdhi natyrshëm te zgjedhjet dhe më tha e pavendosur se po mendonte të abstenonte duke e hedhur votën të bardhë (pa shenjuar asnjë subjekt). Kjo tezë është përfolur nga disa intelektualë të mirënjohur. Në fakt, të mirënjohur ndër të tjera edhe për shkëputjen e tyre nga realiteti shqiptar dhe për qasjen ex cathedra ndaj tij. Vota e bardhë është në thelb votë refuzimi. Qytetari në këtë rast e kryen detyrimin e tij për të votuar, por duke mos zgjedhur asnjë prej partive konkurruese, shfaq mospëlqimin e tij ndaj tyre. Sipas meje, dhe këtu bashkohem me përkrahësit e kësaj mënyre votimi, kjo është votë që tregon karakter.

Për fat të keq, sot për sot, edhe miopi politike. Refuzimi, nga një votues tek tjetri, mund të dallojë. Dikush refuzon sistemin si një i tërë. Këta janë fjala vjen anarkistët, por jo vetëm. Një tjetër, ndërsa është dakord me sistemin në kuptimin makro (demokraci kushtetuese + ekonomi tregu të lirë), refuzon sendërtimin e tij si partitokraci, pra jo pushtet i popullit (gr-demos kratia) por pushtet i partive që manipulojnë turmat dhe i sundojnë ato përmes demagogjisë, por edhe dhunës e korrupsionit, pasi përfitojnë nga përçarja, varfëria e injoranca masive. Mikesha ime është një ndër këto të llojit të dytë. Dhe deri diku ka të drejtë. Problemi qëndron tek efektiviteti i aksionit të saj politiko-qytetar. Praktikisht, çfarë vlere ka vota e saj e bardhë? Le ta analizojmë. Ka sisteme zgjedhore, të cilat kërkojnë votimin e mbi 50%+1 të qytetarëve me të drejtë vote që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme.

Ky nuk është rasti i Shqipërisë. Tek ne, edhe sikur të votojë vetëm 1 individ dhe Të Gjithë të tjerët të abstenojnë (duke mos shkuar në votim apo duke shkuar por hedhur votë të pavlefshme, si mikesha ime) zgjedhjet janë të vlefshme dhe shpallet fitues subjekti konkurrues për të cilin ka votuar votuesi i vetëm. Pra, sado të jetë numri i atyre individëve që, duke mos pëlqyer asnjë parti, refuzojnë të zgjedhin, veprimi i tyre nuk sjell Asnjë efekt praktik. Natyrisht, n.q.s numri i abstenuesve do të ishte i jashtëzakonshëm (mbi 50% e votuesve), atëherë Ndoshta (?) mund të ndodhte diçka. Çfarë p.sh? Epo jo më shumë se përsëritja e zgjedhjeve:). Në rastin me të keq, ata politikanë që do zgjidheshin nga pakica e shqiptarëve (nga militantët përkatës) do të qeverisnin pa pikën e përgjegjësisë, sepse nuk do të kishin detyrim ndaj shumicës, por vetëm ndaj përkrahësve të tyre.

Të votosh sot duke prishur votën (duke e hedhur të bardhë, apo duke e shkarravitur atë), në fakt, ke votuar për status quo-në, d.m.th mos trazimin e ujërave, me fjalë të tjera për partinë në pushtet, sepse votuesi refuzues nuk është pjesë e militantëve, por e kontigjentit të ndërmjetëm (pra as blu as lejla). E djathta ka votues pak më shumë se e majta, pasi ka militantët plus të punësuarit e shantazhuar dhe familjet e tyre. Rrjedhimisht, n.q.s votuesit e ndërmjetëm (alias "elektorati gri", apo "të pavendosurit") që jane edhe pjesa me e shëndetshme e shoqërisë, zgjedh te mos marre ane, pra zgjedh te mos zgjedhe, por të tregohet indiferente, pa dashje, nga miopia, në fakt zgjedh të mbajë në pushtet grupimin politik që është ndërkohë në pushtet. Vota e bardhë në këtë mënyrë, shndërrohet në carte blanche - mundësi e pakontrolluar për pushtetarët në fuqi për të vazhduar atë mënyrë qeverisjeje që kanë adoptuar deri tani. Kjo është paradoksale. Nga njëra anë thua s'më pëlqen mënyra sesi qeverisem, nga ana tjetër i mban në pushtet. Votoi drejtpërdrejtë, atëherë dhe lëri stërhollimet intelektuale.

Në zgjedhjet e 2009- ës, në qarkun e Tiranës ishin diçka mbi 12.000 vota të pavlefshme (të bardha, të votuara më shumë se një kandidat etj). Mjaftueshëm për 1 deputet më shumë. Sikur këta votues të ishin treguar më të përgjegjshëm me votën e tyre dhe ta kishin hedhur në një krah apo në tjetrin, e majta mund të kishte fituar e vetme (PS+LSI morri 70 mandate) ose e djathta nuk do duhej të binte në pazare me LSI (që ishte edhe fillimi i një pështirosjeje të madhe shitblerje deputetësh). Për ta mbyllur, mendoj se në realitetin tonë, ku shqiptarët në shumicë të konsiderueshme nuk e kanë ende staturën për të qenë sovranë, sepse manipulohen lehtësisht dhe shesin të nesërmen e tyre për një thes miell apo pak lekë sot, zgjidhja nuk është indiferenca apo prishja e votës, por vota ndëshkuese. Asnjë parti nuk duhet të qëndrojë në pushtet më shumë se 4 vjet (e jo më 8), deri sa rritja e kulturës qytetare, bashkë me nivelin ekonomik, të prodhojë një mjedis të përshtatshëm, ose për reformimin e brendshëm të partive aktuale, ose për daljen e partive të reja progresiste. Votuesi jo militant ka detyrimin, jo mundësinë, të tregohet i përgjegjshëm ndaj të ardhmes së vendit, ndërsa militantët votojnë symbyllur. Nëse nuk arrin dot të identifikosh të mirën, atëherë zgjidh të keqen më të vogël sipas teje. Aty fillon edhe e mira.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›