E Hënë, 2 Nëntor 2026

Votimet kthejnë në Shqipëri mijëra emigrantë

Zgjedhjet e përgjithshme, kanë motivuar një pjesë të mirë të shqiptarëve që jetojnë të emigracion të kthehet për të bërë pjesë e procesit më 28 qershor. Pjesa më e madhe e emigrantëve tregojnë se kanë ardhur për të votuar, ndërsa shprehin besimin se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të standardeve më të larta. Por, një pjesë e mirë e emigrantëve thonë se kanë ardhur edhe për të mos lejuar abuzimet e mundshme me votën e tyre, pasi sipas tyre shpesh herë kanë dëgjuar për votimin në emër të të tjerëve. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të siguruara pranë pikës së kalimit kufitar të Kapshticës në 48 orët e fundit në territorin e Shqipërisë kanë hyrë rreth 3100 emigrantë me 1100 mjete. Por megjithëse numri i emigrantëve që kthehen për në Shqipëri, është rritur ndjeshëm sipas zyrtarëve në Kapshticë, fluksi ende nuk e ka arritur fazën e tij maksimale, gjë e cila pritet të ndodhë gjatë ditëve të fundjavës. Për këtë qëllim në anën shqiptare të kufirit janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e situatës, por pala greke nuk ka lëshuar asnjë sinjal për shtim sportelesh. Ndërkohë që nga pika doganore e Kakavijës në Gjirokastër kanë hyrë rreth 9 500 persona. Sipas të dhënave zyrtare, pranë kësaj pike të kalimit kufitar do të qëndrojnë të hapura 15 sportele në hyrje, për të shmangur krijimin e radhëve dhe për të mirëmenaxhuar situatën. Policia ka marrë masa edhe në kuadër të luftës së vazhdueshme ndaj krimit të organizuar dhe tentativave për kalimin ilegal të kufirit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›