Kardinalët katolikë votojnë sot për Papën e ri, Kardinali Re: Të ruajmë unitetin e Kishës, moment historik i vështirë

Kardinalët katolikë nga e gjithë bota nisin këtë të mërkurë (7 maj) procesin e votimit për një papë të ri, në Kapelën Sistine. 133 zgjedhësit u mblodhën në Bazilikën e Shën Pjetrit për një meshë të veçantë përpara hyrjes në Kapelën Sistine për takimin e fshehtë të konklavës.
Duke ndjekur një traditë shekullore, ata do të shkëputen nga të gjitha komunikimet me botën e jashtme ndërsa marrin pjesë në procesin e votimit anonim.
Në oxhakun e Kapelës, në orën 19:00, pritet të dalin shtëllungat e para të tymit: tymi i bardhë do të sinjalizonte zgjedhjen e Papës së ri, ndërsa një tym i zi do të nënkuptonte zgjatjen e votimit për ditët në vijim.
Duke iu drejtuar kardinalëve, Kardinali Giovanni Battista Re tha se zgjedhja e Papës së ri ka një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për gati 1,4 miliardë katolikët e botës, por për të gjithë.
“Ne jemi këtu për të thirrur ndihmën e Shpirtit të Shenjtë, për t’u lutur për dritën dhe forcën e tij në mënyrë që papa i zgjedhur të jetë ai për të cilin Kisha dhe njerëzimi kanë nevojë në këtë pikë kthese të vështirë dhe komplekse të historisë. Të lutesh, duke thirrur Shpirtin e Shenjtë, është i vetmi qëndrim i drejtë dhe i duhur për t’u mbajtur ndërsa zgjedhësit kardinalë përgatiten për të ndërmarrë një akt të përgjegjësisë më të lartë njerëzore dhe kishtare dhe për të bërë një zgjedhje me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky është një akt njerëzor për të cilin çdo konsideratë personale duhet të lihet mënjanë, duke mbajtur në mendje dhe në zemër vetëm Zotin dhe të mirën e Kishës dhe të njerëzimit“, u shpreh ai.
Kjo konklavë mendohet të jetë një nga më të larmishmet e çdo takimi kardinalësh më parë, duke përfaqësuar rreth 70 vende dhe me origjinë nga vende si Mongolia, Suedia dhe Tonga që nuk kishin pasur një kardinal më parë.
Papa Françesku kishte emëruar rreth 108 nga 133 kardinalët që do të zgjedhin pasardhësin e tij.
/rtsh.al/