E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi, mbi 12 mijë emigrantënë Kakavijë brenda një dite

Të tjera rreth shkrimit Mbërrijnë emigrantët e parë për të votuar GJIROKASTER - Dhjetëra autobuzë kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijes. Emigrantët kanë shfaqur dëshirën e tyre për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të së dielës dhe për këtë, kanë udhëtuar me orë të tëra. Autobuzët e parë, janë shfaqur rreth orës 01:00 pas mesnate duke vijuar me intensitet njëri pas tjetrit deri në orët kur zbardhi dita. Përgjatë kësaj periudhe kohore, përmes Kakavijes, kanë kaluar mbi 50 autobuzë me emigrantë të ardhur nga Athina, Patra, Kalamata, Rodosi, Kreta dhe shumë rajone të tjera të Greqisë. Emigrantët kanë shfaqur hapur prirjet e tyre politike për zgjedhjet e së nesërmes ndërkohë që pak prej tyre, kanë qenë hermetikë rreth drejtimit të votës karshi subjekteve politike.

Policia Rajonale e Kufirit, ka marrë masa për përballimin e fluksit të emigrantëve, duke vënë në gatishmëri efektiva shtesë për të menaxhuar lëvizjet në ardhje të territorit shqiptar. Përgjatë orëve të mbrëmjes, është operuar me katër sportele në hyrje të territorit shqiptar dhe dy në dalje, ndërkohë që në varësi të fluksit të emigrantëve, numri i tyre mund të pësojë rritje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, përmes Kakavijes, kanë hyrë në territorin shqiptar, mbi 12 mijë emigrantë si dhe dhjetëra autobuzë dhe automjete.

Ndërkohë prej fillimit të javës e deri më sot, përmes pikave të kalimeve kufitare në Qarkun e Gjirokastrës si ajo e Kakavijes, Tri Urave dhe Sopikut, kanë ardhur në Shqipëri, mbi 38 mijë emigrantë dhe kjo e verifikuar përmes sistemit TIMS. Fluksi i emigrantëve që vijnë për të votuar, do të arrijë kulmin mbrëmjen e të shtunës duke u gdhirë e diela pasi mjaft prej tyre, qëndrojnë në pritje për të ardhur.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›