Perfundon ndertimi i rruges Odhise Grillo dhe rruga qe lidh 5 majin me Selaudin Zorben
Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e rrugës “Odhise Grillo”, në njësinë bashkiake nr.3. Me një investim prej 26 milionë lekësh, është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. E gjithë rruga, 560 metra e gjatë, ndriçuar dhe gjelbëruar me mbjelljen e 106 fidanëve. Është vendosur sinjalistika rrugore dhe janë kryer punimet e nevojshme për linjat reserve, për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore.
Kryebashkiaku Basha, duke nënvizuar investimet e mëdha që përfshijnë këtë zonë, e ka cilësuar këtë si provën më të mirë, që qytetarët të vazhdojnë të investojnë besimin e tyre tek ata që flasin me vepra dhe jo me fjalë, siç e investuan edhe më 8 maj 2011.
“Ndaj me të gjithë banorët e “Odhise Grillos” kënaqësinë për përfundimin në kohë të punimeve dhe për rehabilitimin e sheshit që ishte shënuar për t’u bërë pallat nga ish-kryetari dhe në kthimin e tij në një parkim dhe lulishte. Së dyti, ndodhemi në një pikë të qytetit ku duket qartë se çfarë intensiteti punimesh kemi. Ja ku jemi te “Odhise Grillo”, përballë kemi punimet që sapo fillojnë për rehabilitimin e Lanës dhe sistemimin, krahas kemi “ Endri Kekon” dhe në fund të “Odhise Grillos” kemi bllokun “Qemal Stafa” që e filluam para një jave dhe që do të përfundohet me parametra po kaq modernë dhe më shumë gjelbërim sesa ky bllok. Së treti, përfundimi i punimeve këtu hap fazën e punimeve të tjera, sistemimin total të bllokut nëpërmjet shtrimit të çdo rrugice dhe çdo shtegu që lidhet me “Odhise Grillon”, përfundimin e “Arkitekt “Sinanit”. Punimet do të fillojnë në shtator dhe do t’i japin gjithë kësaj zone standardin e merituar, në çdo centimetër katror, pra nuk do të ketë asnjë centimetër katror të kësaj lagjeje që nuk do të ketë investimin e duhur brenda pranverës së ardhshme. Kjo është prova, kushti është që qytetarët të vazhdojnë të investojnë besimin e tyre, siç e investuan më 8 maj 2011, të vazhdojnë të investojnë edhe të dielën tek ata që flasin me vepra dhe jo me llafe, veçanërisht tek ata që janë provuar dhe me parë” – u shpreh. Basha.
Me një investim prej 75 milionë lekësh, ka përfunduar ndërtimi i rrugës që lidh rrugën “5 Maji” me “Selaudin Zorba”, njësia bashkiake nr.4. Kjo rrugë do të ndihmonte në lehtësimin e lëvizjes së mjeteve dhe qytetarëve të zonës por edhe qindra punonjësve të një fabrike fason që ndodhen në këtë rrugë. Përgjatë kësaj rruge janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, është realizuar ndriçimi rrugor, ku janë vendosur 37 shtylla, janë spostuar linjat elektrike dhe shtylla tensioni.
“Dua të falënderoj sot punëtorët që kemi të pranishëm këtu. Është hera e parë që kemi të pranishëm gjithë kolektivin e punonjësve që bën të mundur këtë shndërrim, këtë transformim të Tiranës dhe ne në emër të tyre, dua të falënderoj të gjithë punonjësit, punëtorët e kompanive që kanë punuar me dedikim gjatë këtyre muajve, për të realizuar këto vepra anembanë qytetit. Përfundimi i kësaj rruge në afat dhe brenda standardeve më të mira të mundshme të projektimit, i jep fund makthit të baltës dhe pluhurit 15 vjeçar në këtë lagje dhe hap rrugën për fillimin e investimit të të gjithë bllokut urban, investim që do të fillojë brenda vjeshtës së këtij viti me paratë e instrumentit të paraaderimit në Bashkimin Evropian, para të cilat qeveria shqiptare i merr nga Bashkimi Evropian dhe ua jep qytetarëve të Tiranës, për përmirësimin e cilësisë së jetës, do ta shtrijë këtë standard me më shumë gjelbërim dhe me parametra totalë, modernë dhe evropian anembanë në çdo cep të këtij blloku që shtrihet deri tek Bregu i Lumit dhe deri në thellësi të lagjes. Puna vetëm ka filluar dhe qytetarët e Tiranës me vendimmarrjen e tyre më 23 qershor, do të sigurojnë që puna të vazhdojë dhe të shtrihet në çdo cep të qytetit të Tiranës” – deklaroi Basha.