E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 21 Janari, në Prokurori Berisha, Basha, dhe unë

Kreu socialist Edi Rama i rikthehet çështjes së 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 demonstrues, duke i kërkuar Prokurorisë që të vijojë me hetimet e saj për zbardhjen e së vërtetës për këtë ngjarje edhe duke thirrur në pyetje të gjithë ata persona që kanë dijeni, përfshi këtu kryeministrin Sali Berisha, por pa lënë jashtë as veten e vet, si organizatori kryesor i asaj demonstrate. “Duhet të kishte thirrur të parin Sali Berishën, të dytin Lulzim Bashën, të tretin Hysni Burgajn, s’jam në dijeni nëse ky është thirrur, po si kot që është, s’është çudi që edhe të jetë thirrur, pastaj ca kapo të policisë si puna e atij gansterit që u gradua drejtor bashkiak e rreh gratë në zyra, dhe me radhë. E njëkohësisht Prokuroria jo vetëm s’duhet të qe tutur e futur në sirtar bashkë me dosjen përvëluese, po duhet të kishte kërkuar, me mbështetjen e plotë të opinionit publik e të komunitetit ndërkombëtar, që të gjithë të rreshtoheshin pa llafe e as naze te dera e saj. Që të mos krijohet asnjë ekuivok, te ky rreshti fus pa merak e hezitim edhe veten time, si njëri ndër organizatorët, madje organizatori kryesor i demonstratës së 21 Janarit”, është shprehur Rama dje nëpërmjet editorialit të tij javor të shpërndarë për mediat. Ai nuk ngurron të akuzojë organin e akuzës se nuk po bënë punën e vet dhe se po bën politikë. “Prokuroria e trysnuar nga presionet mafioze të Saliut mbi Prokuroren e Përgjithshme dhe e keqtrajtuar vijimësisht nga gjykatat politike të Tomës e të Sashenkës, ka zgjedhur të bëjë politikë me politikën e të shohë punën e vet, nënkupto të mos e bëjë detyrën e saj deri në fund, në asnjë nga rastet kur detyra vete dhe e çon organin e akuzës në derën e shtëpisë së Saliut”, - shprehet Rama në këtë editorial.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›