E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Votimi nga jashtë, Celibashi: Të shtyhet afati për të asistuar të refuzuarit

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirian Celibashi deklaroi sot se, “data 9 mars është afati i fundit, sipas ligjit, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpallë listat paraprake për zgjedhjet e 11 majit”.

Në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike për shtyrjen e afatit për regjistrimin e diasporës, për të mos përfunduar më 4 mars, Celibashi deklaroi se “data 9 mars është një datë përtej të cilës ne nuk shkojmë dot, sepse është përcaktuar nga ligji që në datën 9 mars KQZ të shpallë listën paraprake dhe ky është një afat i përcaktuar nga ligji”.

Në një konferencë për mediet, Komisioneri shpjegoi se, “deri në datën 9 ne mund të flasim dhe të diskutojmë për afate të tjera. Por pa një proces të amendimit ligjor, nuk mund të shkojmë përtej datës 9 mars”.

Sipas tij, diskutimi mbetet që nga data 4 deri në 9 mars, a mund që të shtyhet ky afat.

“Ka qenë një kërkesë e PD-së që të shtyhet afati për ditët. Nga pikëpamja teknike nuk ka asnjë problem. PS nuk ka qenë dakord me këtë ide, duke thënë se data 4 mars është datë e njohur për të gjithë dhe sipas tyre, shtyrja e afatit për 2 ose 3 ditë nuk do të ndryshonte ndonjë gjë të madhe dhe nëse do të dakordësonim këtë shtyrje. Që sipas PS do të sillte konfuzion”, tha ai.

Celibashi bëri të ditur se i ka propozuar dy partive politike që të paktën për mbi 42 mijë zgjedhësit që kanë paraqitur kërkesën dhe ajo u është refuzuar, të shikohet mundësia që KQZ të kishte disa ditë më shumë në dispozicion për të asistuar një proces të riaplikimit të tyre, pasi do të ishte në dobi të procesit. Por, edhe për këtë duhet konsensus nga dy partitë dhe KQZ po pret një përgjigje prej tyre.

Ai tha se, procesi i përgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit deri tani po ecën në përputhje me të gjitha parashikimet që KQZ ka bërë dhe deri tani nuk ka ndonjë problem.

Ai deklaroi se nesër, datë 4 mars, në orë 24:00 është afatit i fundit për regjistrimin e votuesve nga jashtë, ndërkohë që dita e djeshme, ka qenë dita me numrin më të lartë të regjistrimeve, me 16 302.

Celibashi njoftoi se, deri tani janë 218 157 zgjedhës të regjistruar. “Do të presim sot dhe nesër deri deri orën 24:00 për të publikuar numrin total të votuesve jashtë vendit që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit”.

“Në datën 9 mars do të nxjerrim listën paraprake të votuesve nga jashtë vendit”, tha ai.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›