E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimi për KLD-në, çamët dhe republikanët nxjerrin jashtë loje Metën

Share

Shumica humbi votat dhe mbijetoi falë votës së Kastriot Islamit dhe Nasip Naços

Një analizë finale e votimit për dy anëtarët e KLD-së, e cila u kthye në një betejë politike për të testuar shumin në Kuvend, provoi se çamët dhe republikanët kanë votuar politikisht, për t’i provuar Berishës se mund të qëndrojnë bashkë në një koalicion, pa qenë nevoja për Ilir Metën. Votimi, i cili erdhi pas negociatave të lodhshme të Berishës me gjithë aleatët, provoi se 71 votat u siguruan falë votës së dy deputetëve çam, Fatmir Mediut, Nasip Naços dhe Kastriot Islamit. Kjo skemë nxorri përfundimisht jashtë loje LSI-në dhe e bëri atë të panevojshme për Berishën.

Duket se Berisha ka negociuar personalisht me Naçon dhe i ka premtuar vendin në qeveri, pavarësisht çdo propozimi për ndryshim, dhe nga ana tjetër Islamit i ka premtuar një vend në qeveri, nëse LSI tenton të dalë nga koalicioni.

Ndarja LSI-PD ka muaj që është shfaqur publikisht, fill pas mbarimit të gjyqit të Ilir Metës, kur ky i fundit nisi betejën për të qenë faktor në zgjedhjen e presidentit. Votimi i së enjtes provoi se ai nuk është më një faktor vendimtar për Berishën.

Shumica e re e formuar dje në Kuvend është më e përshtatshme për Berishën për shumë arsye.

E para, ajo i siguron atij hyrjen në zgjedhje pa LSI-në, çka është një lehtësim i madh për të nga akuzat për korrupsion dhe një shpëtim nga dyfishimi i mandateve që LSI mund të marrë brenda koalicionit me PD-në. Nga ana tjetër, largimi i LSI-së nga koalicioni u jep shans dy aleatëve të tjerë, republikanëve dhe çamëve, të jenë në koalicion me Berishën dhe të pretendojnë deputetë në qarqe të ndryshme, dikush në Vlorë, dikush në Fier e dikush në Tiranë.

Po ashtu, votimi forcoi dukshëm mandatin e deputetit pa parti, Kastriot Islami, i cili e vuri atë në shërbim të shumicës, duke lënë të hapur pazarin me Berishën.

Votimi ka shkaktuar një traumë për LSI-në, e cila duket se do të ketë një reagim ndaj përpjekjes së Berishës për izolim para zgjedhjes së presidentit.

Opozita, e cila hyrei me mjaft dyshime në këtë lojë, ka dalë e fituar politikisht, pasi ka provuar shkeljen e standardeve demokratike nga Berisha për votimin e fshehtë dh krisjen e shumicës së tij. Taksa e vetme e saj është gjesti i pamoralshëm i kandidimit të Vishës, por që ata e justifikojnë me rëndësinë e provokimit të kësaj krize të shumicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›