E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi për kandidatët, PS: Duhet seancë dëgjimore

 

PS propozon ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. PD e mbështet

TIRANË- Me qëllim shmangien e një situate të dytë, që u krijua pak ditë më parë në Kuvend për dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë, Partia Socialiste ka propozuar ndryshime në Rregulloren e Kuvendit përmes deputetëve Arben Malaj dhe Besnik Dervishi, propozime të cilat janë mbështetur edhe nga Partia Demokratike. Duke u nisur nga domosdoshmëria për të rritur rolin e Parlamentit në të gjitha rastet kur kërkohet pëlqim, emërim për propozimet nga ekzekutivi, apo emërime nga vetë Kuvendi, si dhe roli që ka rritja e transparencës me publikun në të gjitha fazat e identifikimit, propozimit, pëlqimit dhe miratimit të kandidaturave të institucioneve kushtetuese, ose të krijuara me ligj, PS ka kërkuar qartësimin më mirë të procedurës së Kuvendit, ku përfshihen vetëm komisionet përkatëse dhe seanca parlamentare. Sipas ndryshimit të propozuar, Kryetari i Kuvendit menjëherë nga mbërritja e kërkesës për pëlqim apo emërim, ia kalon atë komisionit përkatës. Në propozimin e depozituar ka një zgjatje në dy javë të kohës në dispozicion të komisioneve përkatëse që synojnë pikërisht të rrisin kontrollin parlamentar, duke kërkuar në të njëjtën kohë që seanca e dëgjimit të jetë e detyrueshme. “Në nenin 111, pas pikës 6, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje: “Komisionet përkatëse, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, janë të detyruar të zhvillojnë seanca dëgjimore për çdo kandidat apo kërkesë. Paraqitja e kandidaturave apo e kërkesës për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit, përfshihen automatikisht në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit”,- thuhet në vendimin për ndryshimin e Rregullores. Sipas deputetëve propozues, Malaj dhe Dervishi, është tentuar që pa ndryshuar totalin e kohës në dispozicion të Kuvendit, t’i jepet prioritet shqyrtimit në komision të kandidaturave, si nga pikëpamja e kritereve ligjore, ashtu dhe nga ajo e meritës. Lidhur më këtë përmbajtje, edhe nënkryetari i Kuvendit, Fatos Beja u shpreh i hapur për të bashkëpunuar. Më 16 qershor, Kuvendi rrëzoi me shumicë votash pesë dekretet e Presidentit të Republikës për emërimet e propozuara prej tij për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë.

Në Rregulloren e Kuvendit bëhen këto shtesa e ndryshime:

1. Në nenin 111, pika 3, pas fjalëve “Kryetari i Kuvendit ia kalon ato”, shtohet fjala “menjëherë” dhe fjalët “brenda 10 ditëve” bëhen “brenda dy javëve”.

2. Në nenin 111, pika 6, pas fjalëve “Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën”, shtohet fjala “menjëherë”, fjalët “brenda 7 ditëve” bëhen “brenda dy javëve” dhe fjalët “brenda dy javëve” bëhen “brenda 7 ditëve”.

3. Në nenin 111, pas pikës 6, shtohet pika 7, me këtë përmbajtje: “Komisionet përkatëse, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, janë të detyruar të zhvillojnë seanca dëgjimore për çdo kandidat apo kërkesë. Paraqitja e kandidaturave apo e kërkesës për zgjedhjen në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj dhe dhënia e pëlqimit, përfshihen automatikisht në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit.

Çfarë parashikon Rregullorja për pikat e ndryshuara

Neni 111, pika 3

Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.

Neni 111, pika 6

Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili brenda 7 ditëve shqyrton nëse kandidaturat i plotësojnë kriteret ligjore. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare, brenda dy javëve nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›