Votohet ngritja e komisionit hetimor, PS kundër

Kreshnik Spahiu
TIRANE- Kuvendi miratoi sot vetëm me votat e maxhorancës ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin nga detyra të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.
Projektvendimi i paraqitur nga disa deputetë të Partisë demokratike mori 73 vota pro dhe 57 kundër. Opozita ashtu siç paralajmëroi nuk e votoi ngritjen e komisionit.
Viktor Gumi, në emër të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut paraqiti para deputetëve arsyet e kërkesës, duke u kërkuar atyre të votojne projektvendimin që parasheh ngritjen e një komisioni hetimor.
Fatmir Xhafaj, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi menjëherë votën kundër shkarkimit të Kreshnik Spahiut. Sipas tij, kjo votë kundër nuk vjen sepse PS mbron Kreshnik Spahiun, pasi puna e tij lë shumë për të dëshiruar në krye të KLD-së.
Kjo është një nismë e cenueshme në frymën kushtetuese. Kërkesa dhe mënyra se si është hartuar, është një gjë e sforcuar dhe nuk është në përmbushje të kritereve të Kushtetutës.- tha Xhafaj.
Sipas tij, ky është një gjyq ushtarak, për kokëprerje individuale, duke shtuar se PD-së nuk i intereson veprimtaria e tij në KLD, por e ardhmja e tij në politikë, sepse trembeni se do tu marrë votat.
***
Në rendin e ditës, të publikuar në faqen e Kuvendit, pika e gjashtë është pikërisht kërkesa e 33 deputetëve të maxhorancës për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Kreshnik Spahiu.
Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se janë caktuar edhe pesë anëtarët që do të jenë pjesë e komisionit, puna e të cilit duhet të përfundojë brenda tre muajve. Kryetar i komisionit do të jetë anëtari i Komisionit të Ligjeve dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ndërsa anëtarë do të jenë Ramiz Çoba, Paulina Hoti, Gerti Bogdani dhe Ledina Aliolli.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka deklaruar më parë që nuk do të jetë pjesë e komisionit hetimor, të cilin e quan një çështje vetëm të maxhorancës. Në raportin e hartuar nga sekretari i Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi, që do ti paraqitet sot seancës, thuhet se organi i emërtesës, në rastin konkret Kuvendi i Shqipërisë, ka kompetencën kushtetuese edhe të shkarkimit nga detyra të anëtarit që zgjedh ai vetë. Kjo do të thotë se kërkesa kërkon shkarkimin nga detyra të anëtarit të zgjedhur nga Kuvendi në KLD, zotit Kreshnik Spahiu, që, njëkohësisht, mban edhe detyrën e zëvendëskryetarit të KLD-së.
Kërkesa përmban, madje, shkaqet për të cilat kërkohet masa e shkarkimit dhe motivacionin përkatës: respektivisht sepse ka kryer akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e një anëtari të një organi kushtetues. Ndërsa opozita pritet të mbajë të njëjtin qëndrim refuzues si një javë më parë në Komisionin e Ligjeve.
Çështja që po trajtojmë sot është një çështje tërësisht e juaja, nuk është çështje e opozitës. Ju jeni të kompleksuar nga e gjithë kjo histori, edhe nga marrëdhënia me Kreshnik Spahiun, për shumë arsye, që për etikë, për edukatë, nuk dua ti them sot këtu. Në të gjitha aspektet, por më kryesori, në atë që po gjykojmë, në aspektin politik, kushtetues dhe ligjor, kjo është çështja juaj, nuk është e opozitës. Dhe e dini pse nuk është çështje e opozitës? Sepse nuk e kemi zgjedhur ne Kreshnik Spahiun nënkryetar të KLD-së, e keni zgjedhur ju, tha Xhafaj në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.