E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votojeni, pash Zotin!

A është pengesë imuniteti i deputetëve dhe gjyqtarëve shqiptarë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian? Jo. Nuk është.Nuk ekziston ky kusht në asnjë nga 12 pikat që ka vendosur Brukseli që Shqipëria të pranohet vend kandidat. Është një furtunë në gotën e ujit. Është zero e madhe në prag vere dhe mes apatie publike. Por cave ju duhet për të treguar sikur janë në punë, të tjerëve për të shtyrë kohën, dhe kusurit si sebep për të nxjerrë inatet.
Berisha ngre dhe ul çështjen e imuniteteve. Shfrytëzon rastin të shajë e përdhosë opozitën shqiptare nga mëngjesi deri në darkë. Kënaq instiktin e tij për të linçuar kundërshtarët. Ka mundësinë t’i tregojë shqiptarëve që e dinë sa i baltosur është, se nuk i trembet drejtësisë edhe me imunitet të hequr. Është rast i artë për të shfokusuar skandalet që po i plasin gjithandej si flluska sapuni.
Çështja e imunitetit ju duhet ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Ndonjëri prej tyre që nuk ka nuhatje politike, e ka marrë seriozisht. Pas kaq kohësh, ende nuk e ka kuptuar se për të fortët, ligjet këtu janë ca më keq se letra higjenike. Me naivitetin e tij, më tepër po krijon kosto, se ndihmon në emancipimin e vendit dhe ecjen përpara. I shërben zhurma rreth këtij ligji një dore tjetër diplomatësh të djallëzuar, që qëndra i ka në periferi të vëmëndjes. E dinë mirë se nuk i ka njeri në refene se çfarë bëjnë në këtë cep të humbur që e sundon një gangster politik, ndërkohë që bota është në prag të plasjes së krizës dhe përplasjes me armë. E dinë shumë mirë që nuk kanë ndonjë fuqi të ndryshojnë statusquonë, pasi specia që gjallon në godinën e kryeministrisë, merr vesh vetëm me forcë. Ashtu siç e dinë, që shefat që përfaqësojnë, nuk ja kanë ngenë një ballkanasi që shumë-shumë vjedh dorën e vet dhe kref sojin e tij. Ndaj nuk ja vlen as një cent i harxhuar për heqjen e tij. Por të dërguarit e tyre diplomatikë e duan për të treguar se punojnë dhe rroga që marrin në Tiranë, nuk është e pajustifikuar.
I shërben gurguleja për këtë ligj për të ngrënë minutazhet televizive një dore politikanësh provincialë që nuk mbledhin dot as dhjetë veta. Shfaqen si revolucionarë sypatrembur. A thua se nuk kemi dalë nga sistemi që na bëri rreshtore të gjithëve. Njerëz që nuk kanë shkrehur asnjë kapsollë, japin mend si mposhtet Berisha dhe çfarë duhet të bëjë Rama. Ndërkohë për vete kanë bërë revolucione vetëm kur hanë përshesh. Janë hedhur hu më hu, pa u ngulur asgjëkundi; kanë bërë qepaze socialistët kur kanë folur nga tribunat e tyre; tani bëjnë të mënçurin dhe tallen me ata që deri dje i dëgjonin vetëm se ja u kishin bërë peshqesh.
Të vetmit që nuk ju vlen imuniteti janë socialistët. I kanë gjobitur për denoncimet që kanë bërë duke i quajtur shpifje dhe imuniteti nuk i ka mbrojtur. Ashtu sikurse nuk e ka vënë ujin në zjarr njeri, për të dënuar hajdutë të zënë me presh në dorë. Nuk ka çfarë ju duhet socialistëve imuniteti kur kanë në xhepa vetëm rrogën që ju jep Jozefina. Është një ligj i bërë për të mbrojtur deputetin dhe dhënë dinjitet atij. Por në vendin ku gjysma e mandatmbajtësve nuk vlen një lek; ku morali është informal; dinjiteti është koncept relativ; atëhere askush nuk e meriton këtë lloj nderi. Socialistët i gënjen mendja se mund t’i marrin ndonjë send Berishës, në këmbim të votës për heqjen e imunitetit. Berishës, imuniteti nuk i është dashur e nuk do t’i duhet kurrë, sa të jetë kjo mungesë e sensit civil, kjo lloj drejtësie, dhe kjo lloj indiference europiane për fatet e Shqipërisë. Ndaj socialistët, le ta japin votën për heqjen e tij. Ta japin, që ca ambasadorë të justifikojnë rrogën, dhe mbase pas kësaj do vrasin mendjen për probleme reale që ka ky vend që është duke rrëshqitur drejt monokracisë. Ta japin, që Berisha të gjejë hënë tjetër për t’iu sulur dhe të na lerë veshët rehat e mos i shtohet zhurmave të netëve stresante shqiptare. Ta japin, që të biem rehat të paktën për këtë gusht.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›