E Diel, 1 Nëntor 2026

Votojnë krerët e shtetit, Nishani: Sot dita e qytetarëve, votoni me maturi e qetësi

TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryeministri Berisha dhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha u bënë apel qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës me qetësi e maturi. Nishani: Kjo është dita e qytetarëve. Berisha pas votimit: Ta shndërrojmë këtë ditë në ditë festë dhe mirëkuptimi. Basha: Votoni pasivisht në mënyrë civile.

PRESIDENTI NISHANI: KJO ËSHTË DITA E QYTETARËVE, VOTONI ME MATURI E QETËSI
Ora 10:30 - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani hodhi votën e tij në qendrën 17 66/2 në shkollën “Andon Zako Cajupi”, shoqëruar nga bashkëshortja e tij Odeta dhe djali i tyre, që voton për herë të parë.

Kreu i shtetit theksoi se kjo ditë u takon tërësisht qytetarëve. Presidenti përsëriti apelin e tij për ushtrimin e të drejtës së votës, duke shprehur bindjen se shqiptarët do të tregojnë maturi, qetësi e përgjegjësi civile në këtë proces.

“Së pari dëshiroj të uroj një ditë të mbarë për të gjithë shqiptarët. Dëshiroj një mbarësi për të gjithë procesin. Sot është një ditë e rëndësishme, është dita tërësisht e qytetarëve. Jam i bindur që shqiptarët do të tregojnë maturi, përgjegjësi civile duke marrë pjesë në votime, duke respektuar rregullat e votimit, komisionerët dhe administratën zgjedhore. Duke respektuar rendin, veçanërisht në qendrat e votimit. U drejtoj një apel të gjithë qytetarëve të vendit, partitë dhe ideologjitë që votojmë janë të ndryshme, por Shqipëria për të cilën votojmë është vetëm një. Zgjedhjet zhvillohen për të nxjerrë një qeverisje që do të kujdeset për jetën e qytetarit.”- deklaroi Nishani.

Kreu i shtetit uroi të gjithë të rinjtë që votojnë për herë të parë, duke kujtuar se edhe djali i tij e hodhi votën për herë të parë.

VOTON KRYEMINISTRI BERISHA: TA SHNDËRROJMË KËTË DITË NË DITË FESTE DHE MIRËKUPTIMI
Ora 09:44 - Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, iu drejtua qendrës së votimit në “Liceun Artistik” rreth orës 09:44. Pasi hodhi fletën në kutinë e votimit, kryeministri Berisha u ndal përpara gazetarëve, duke u bërë thirrje qytetarëve që të demonstrojnë në këto votime vlerat e tyre qytetare. Kryeministri u bëri apel të gjithë anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të PD-së që të bëjnë gjithçka për ta shndërruar këtë ditë në festë dhe në ditë mirëkuptimi.

Lideri i PD-së ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës, duke i siguruar ata se çdo votë do të respektohet plotësisht.
“Votova 44, preka fatin. Ftoj të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në votime, të votojnë në mënyrën më të qytetëruar. Të votojnë për alternativën që gjykojnë më të mirë. I siguroj se vota e tyre do të respektohet plotësisht. Këto zgjedhje janë përcaktuese për katër vitet që vijnë, për mirëqenien e tyre, për integrimin, punësimin. Falenderoj me mirënjohjen më të thellë emigrantët shqiptarë që kanë ardhur nga të katër anët e botës, për të votuar sot për Shqipërinë e katër viteve që vijnë”,- deklaroi kryeministri Berisha. 

BASHA: VOTONI MASIVISHT E NË MËNYRË CIVILE
Rreth orës 10:00 ka votuar në qendrën e votimit të ngritur tek çerdhja nr.13 në kryeqytet edhe kryebashkiaku, Lulzim Basha. Pasi ka hedhur votën, Basha i ka bërë apel qytetarëve të Tiranës të votojnë pasivisht e në mënyrë civile.

“Falenderoj qytetarët e Tiranës për kontributin dhe mënyrën si e përcollën këtë fushatë. Uroj që procesi zgjedhor të vazhdojë me të njejtin shpirt festiv e civil dhe që qytetarët të marrin pjesë masivisht në të, që të vazhdohet me vepra të mira”, tha Basha.

Më tej kryebashkiaku Basha i bëri thirrje komisionarëve dhe vëzhguesve “të vazhdojnë administrimin e procesit në përputhje me ligjin, të dëgjohet zëri i cdo qytetari në cdo qendër votimi”.

Në lidhje me incidentin në Lac, Basha u shpreh se nuk kishte informacione.

TIRANË, PRITET VOTIMI I LIDERËVE TË POLITIKËS, JA QV-TË KU VOTOJNË
Ora: 08:53 - Procesi i votimit nisi në orën 07:00 në pothuajse të gjitha qendrat e votimit, ashtu siç ishte parashikuar. Ndërkohë pritet që të votojnë edhe krerët më të lartë të shtetit, por edhe kryetarët e partive kryesore në vend.

Kështu, mësohet se Presidenti i vendit Bujar Nishani pritet të votojë në orën 10.00 në qendrën e votimit 1766/2 në shkollën e mesme “Andon Zako Cajupi” në Tiranë. Kreu i së djathtës, Sali Berisha do të votojë në qendrën e votimit ngritur tek “Liceu Artistik” rreth orës 10.00, pasi në këtë orar pritet edhe takimi i zotit Berisha me kryesuesin e delegacionin AD HOC të Parlamentit Europian, Eduard Kukan.

Ndërsa lideri i së majtës, Edi Rama pritet të votojë në shkollën “Pjetër Budi". Pasi të hedhin votën e tyre, drejtuesit politikë, pritet të bëjnë edhe deklaratat e para në lidhje me procesin e zgjedhjeve.

Kreu i LSI-së Ilir Meta pritet të votojë në njësinë 5 në kopshtin numër 10 te ish-blloku, ndërsa kreu i FRD-së Bamir Topi pritet të votojë në shkollën "Servete Maçi" në Tiranë. Lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu pritet të votojë në orën 9.00 në shkollën “Pjetër Budi”.

(vijon)
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Voton kryeministri Berisha: Ta shndërrojmë këtë ditë në ditë feste dhe mirëkuptimi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›