Voton kandidati i pavarur në Vlorë, Nika: Pjesëmarrja e ulët në votime, leksion për klasën politike

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Nga pesë bashki ku sot votohet për zgjedhjet e pjesshme vendore, bashkia e Vlorës regjistron pjesëmarrjen më të ulët në votime.
Deri në mesditë, sipas të dhënave të KQZ-së në Vlorë kanë votuar 7.03% e zgjedhësve, ndërkohë që .pjesëmarrja në votime në të pesat bashkitë së bashku rezulton të jetë 11.02%.
Pasi ushtroi të drejtën e votës, kandidati i pavarur për kryetar bashkie në Vlorë Gjergj Nika u shpreh se pjesëmarrja e ulët në votime do të jetë një leksion për klasën politike.
“Sa i përket pjesëmarrjes së ulët unë mendoj se do te ketë një bojkotim të klasës politike ky do të jetë leksion: dhe ky leksion do vijë nga Vlora. Sipas meje përqindja në këto zgjedhje nuk e kalon 15%”, u shpreh ai.
I pyetur për besimin e tij në fitore, Nika tha se ka hyrë në këtë garë për të fituar dhe do të ndjekë individualisht çdo shkelje ligjore.
Në bashkinë Vlorë, për postin e kryetarit të bashkisë garojnë Brunilda Mersini nga Partia Socialiste, kandidati Gjergji Nika, i propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidati Dionis Sota i mbështetur nga opozita.
/m.m/a f/