“Votoni Malajn, jo përfaqësuesit e rremë në listat e Ramës”
Ish-kryetar i Partisë Socialiste, Fatos Nano
Në mbështetje të Arben Malajt, tashmë i vetëshpallur kandidat i pavarur është edhe Fatos Nano ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste. Gjatë kësaj konference për shtyp Nano bëri me dije se janë parimet ato që e shtyjnë të mbështesë Arben Malajn, dhe asnjë interes tjetër. Ky është një mesazh, siç tha Nano për të gjithë ata që duan të bëhen të pavarur nga klanet e politikës. “Ju falënderoj që po ndiqni çuditë që ndodhin, Arben Malaj, kandidat i pavarur i PS, Fatos Nano në mbështetje të një kandidati të pavarur. Ky është një mesazh që të gjithë të bëhen të pavarur nga klanet e politikës shqiptare, errësirës, nga klanet e interesave që nuk po arrijnë të bëjnë transparencë. Është i qartë motivi që më sjell në mbështetje dhe në krah të Malajt. Është angazhim parimor, nuk ka asgjë të errët, nuk ka ndonjë interes më të vogël se sa mbrojta e parimeve, standardeve që mund ta nxisin zhvillimin europian të Shqipërisë”, theksoi Nano. Nano më tej i bëri thirrje të gjithë socialistëve të Vlorës të votojnë kandidatin e pavarur Arben Malaj, dhe jo përfaqësuesit e rremë që renditen në listat e Partisë Socialiste. “Ne do bëjmë të pamundurën që kjo fushatë të maksimizojë votat socialiste ndaj kandidatit Malaj. Nëse votat do shkojnë tek Malaj dhe jo tek Kokëdhia kjo është përgjegjësi e Ramës jo e Malajt. Unë jam këtu t’i bëj thirrje socialistëve të Vlorës të votojnë socialistët e denjë. Fenomeni Malaj është një nga më përfaqësuesit e vlerave dhe kontributeve të PS-në 22 vite. Ju ftoj të votoni simbolin Malaj dhe të nxisni të gjithë miqtë t’ju largohen përfaqësuesve të rremë që janë në krye të listave të Ramës”, shtoi Nano.