Kthjelltësia e mendimit mbijetoi si Visar
Lexova fjalën e Visar Zhitit me rastin e promovimit të librit të botuar nga Muzeu Kombëtar Historik, “Libri i Tmerrit”, një libër-album me fotografi e dokumente, i cilësuar si kujtesë dhe ndëshkim moral i diktaturës enveriste, që unë do e quaja historia e gjakpirjes kombëtare
Foli shkurt, i përmbajtur, duke shpjeguar rëndësinë e memories kolektive për të ardhmen. Albumi i Terrorit Komunist – dëshmia dhe amaneti i kryer – tha ai. Foli për qëndresën njerëzore, sfidën kolektive, triumfin mbi ferrin. Foli për shkëputje totale nga e kaluara, për kujtesën e nevojshme në ndërtimin e të ardhmes dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, historinë dhe mesazhet e saj, përmendi drejtësinë, humanizmin, solidaritetin njerëzor dhe vlerat morale. Foli për të kaluarën në emër të së tashmes dhe të ardhmes, në emër të persekutuarve për lirinë dhe demokracinë, pararojë e gjakosur që mbijetoi. Foli për dashurinë ndaj vendit, vlerat dhe virtytet.
E lexova me një frymë informacionin dhe u emocionova. I gjithë brezi ynë doli nga purgatori enverist, por Visari zbriti në nën katet e tij, ku vdekja shpesh zgjidhej si shpëtim. Pati fatin e keq të njihej me urrejtjen patologjike dhe ligësinë e pafund, të prekte dëshpërimin në fazën e tij të fundit, të shihte shkoqjen e ëndrrave, përbaltjen në varrezën e vlerave njerëzore. Vuajti padrejtësinë tërbim prurëse pa u infektuar nga shpërfytyrimi. Në labirintet e vuajtjes zbuloi njeriun, të cilin e fiksoi në veprat e tij. Vuajti dhe s’qau, u rrit duke qenë i shtypur, nga errësira pa dritën e shpresës, fluturoi mbi të imagjinueshmen e groposur.
Thonë se: Zoti ja dha të keqen drurit dhe druri u tha, ja dha gurit dhe guri u ça, ja dha njeriut, ai e mbajti, jetoi, eci. Kjo më habit, mbijetesa, qëndresa e shkrimtarit, qartësia dhe kthjelltësia e mendimit të lirë. Njeriu që rilindi në kthinat e errëta ku tortura ishte dëfrim, sot shfaqet si një shkëndijë e moralit, pasi lianet e smirës dhe lakmisë se lidhën dot dhe vreri i hakmarrjes iu bë antitod. Pasi njohu përbindëshin, flet për njeriun. Duke ecur në gjirin e funeralit të kufomave, zbuloi dashurinë, jetën dhe shpresën e viktimave.
Sa thellë duhet të hysh në varret e shpresës për të zbuluar embrionin e jetës?
Sot e bënë Ministër të Kulturës shqiptare – nuk e kërkoi, e pranoi për pak kohë. Hodhi mbi krah përgjegjësinë, detyrimin kombëtar, për të vendosur një gur të rëndë në majën e piramidës së kulturës shqiptare. Në mes të lëmshit politik vezulloi një yll dhe unë e pashë. Mbi kënetën ku lëvrijnë gjarpërinjtë e hijes shndriti një reze drite që i verbon të pangopurit. Kjo është drita e të verbërve të pa fat.
Sot, ti rezistosh babëzisë, të jesh i prekshëm, njerëzor dhe në pushtet, të mos tundohesh nga përkëdheljet e momentit, është gjë e rrallë. Nuk pata fatit ta njoh më parë, vetëm njëherë e kam takuar, shkëmbyem ca fjalë. Sikur të mos ma prezantonin nuk do e dalloja dot mes publikut përreth. Ndërkohë pata fat, lexova veprën e tij, kuptova mesazhin, dallova kthjelltësinë e ideve dhe pash botën e pasur që më ofroi. Më ktheu shpresën e humbur, krenarinë. Më bëri të kuptoj se si dhe pse mbijetoi kombi ynë mes furtunave, historisë. Më kujtoi kolosët, ata vetëmohuesit e kombit që na hapën sytë dhe na treguan rrugën e lirisë.
Është rasti i parë kur kultura shkoi tek kultura. Altruisti, i çliruari nga prangat, luftëtari idealist, foli për memorien e mbuluar dhe pa perspektivën e qartë. Ai shpreh, shpërndan forcën e besimit të tij për të ardhmen shqiptare. Thellësinë e mesazhit të tij e zbuluan italianët, pastaj u kujtuan dhe shqiptarët, shpresoj ta kenë kuptuar sadopak. U bë i njohur, zgjoi zilinë. Klounët mediokër shpejtuan në garë kush të zërë vendin pranë, sa më pranë. Nën të, pastaj mbi të. U hodhën kaladibrançe mbi shpinat dhe kokat e tyre, shkulën flokët, shqyen rrobat, të tjera veshën dhe lëmshi u rrit, mbuloi faqet, revistat, gazetat, ekranet. Pastaj kolltukët e butë, shpërblimi i meritave, uria që rritet s’ka fund. Pa pritur ndodhi çudia, memoria kolektive u doli para, i bllokoi, u zuri vendin, për pak kohë. Kafshatë e rëndë kjo, por e gëlltitën, u duhej, diçka duhej bërë. Shkrimtari, poeti, intelektuali i sprovuar, hodhi hapin e madh, kapërceu llucën para dhe doli në trotuarin e thatë.
Vallë sa na duhen të tillë të zgjojmë, të ngremë këtë popull? Na duhet një shembull dhe ja ku e kemi. Ndoshta janë më shumë që ne nuk i shohim, pasi kalojnë pranë nesh pa u dukur, megjithëse nuk janë transparentë. Sytë s’na mjaftojnë për të parë, as veshët për të dëgjuar, na duhet mendja e kthjellët dhe zëmra e pastër. Të dehurit nga kamja të verbër jetojnë dhe ashtu dhe do vdesin, pa lënë gjë mbrapa dhe emri harrohet.
Bukuresht, 04.05.2013