E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votoni ligjet Sequi Kaperceni ngercin e 84 votave

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi adreson sërish mesazhe bashkëpunimi për palët politike. Ai vlerëson  se reformat e kërkuara në progresraportin e fundit të Komisionit Europian janë një mundësi që forcat politike të bëhen bashkë dhe të punojnë për procesin integrues të vendit.

“Ajo që mund të them nga pozicioni im është që nevojiten të merren në konsideratë avantazhet e progresraportit. Ai është një mundësi e mirë për bashkëpunim pasi është një dokument i tillë që nuk tregon vetëm situatën aktuale por dhe si duhet të jetë ajo në të ardhmen. Së pari ai adreson disa reforma, sic është ajo elektorale apo parlamentare. Mendoj se do të ishte një lëvizje e mirë miratimi në parlament i ligjeve që kërkojnë shumicë të theksuar. Ajo që them vazhdimisht është se integrimi në Bashkimin Europian duhet të konsiderohet si një objektiv kombëtar”, tha Ettore Sequi, ambasador i BE në Tiranë.

Që prej publikimit të progresraportit për Shqipërinë më 12 tetor, mesazhet e ambasadorit Sequi ndaj politikës shqiptare nuk kanë munguar. Ai ka kërkuar dialog dhe realizim të reformave, deri në dhjetor kur mblidhet këshilli i ministrave të Bashkimit Europian dhe ku Shqipëria të mund të marrë vlerësime pozitive përsa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat.

Taulanta Boja

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›