Votuesi dhe militanti janë dy individë të ndryshëm
Do të kthehej mbrapsht votuesi, nëse një i panjohur i madh si dollap, pa asnjë dokument prezantimi, do t’i komunikonte (sigurisht pa takt), se zonën ia kishin ndërruar? Patjetër, pa nxjerrë tingull nga kordat vokale, veçse për falënderim. Militanti e di mirë që s'duhet ta humbe këtë shans pa votuar dy herë… dhe sikur t’i duhej të këpuste një gisht për të fshehur bojën spiune.
E, nëse do të mundej, gishtin për të fyer kundërshtarët do ta ruante si sytë e ballit. Sidoqoftë, militanti e di që me një të lëpirë, boja ikën, prandaj rri i ftohtë si një vrasës me pagesë, ndërsa votuesi do të ish zverdhur nëse ajo (boja) zbehej papritur.
Personalisht nuk e di nëse më mirë është të jesh votues apo militant. Sidomos po ta shohësh situatën një ditë më pas. Nuk është parë e dëgjuar asnjëherë, që një militant të ketë dalë i zhgënjyer, siç kanë dalë disa miq të mi nga shkolla e bërë me shumë mundime në Perëndim.
Kjo sa për teori, se në praktikë e kemi të vështirë ta gjejmë nëse jemi votues të thjeshtë, apo militantë me tuta antiplumb.